Delegacioni i Republikës së Serbisë, i udhëhequr nga ministri për të drejtat e njeriut dhe të pakicave dhe dialogun shoqëror, Dema Berisha, po merr pjesë në sesionin e 117-të të Komitetit të Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Diskriminimit Racor, i cili po mbahet në Gjenevë.
Me këtë rast, delegacioni i Serbisë prezantoi raportin e gjashtë deri në të nëntin periodik mbi zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor. Raporti përfshin rezultatet kryesore, aktivitetet dhe masat që zbatohen në vend me qëllim parandalimin dhe luftimin e diskriminimit racor.

Pas fjalës hyrëse të ministrit Berisha, anëtarët e delegacionit – ku bën pjesë edhe ministri i drejtësisë Nenad Vujiq – iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të Komitetit, duke ofruar sqarime dhe informacione shtesë lidhur me zbatimin e kësaj konvente.
Seanca e Komitetit për Eliminimin e Diskriminimit Racor zgjat dy ditë, ndërsa pjesëmarrja në këtë forum konfirmon përkushtimin e Serbisë për dialog transparent me institucionet ndërkombëtare, si dhe vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe luftës kundër diskriminimit.

Delegacioni i Serbisë në Gjenevë përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Ministrisë së Drejtësisë të udhëhequr nga ministri Vujiq, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Informimit dhe Telekomunikacionit, Zyrës për Kosovën, si dhe përfaqësues të Komesarit për Refugjatët dhe Migracionin, thuhet në njoftimin e Ministrisë së linjës.












