Rusia ka nisur në orët e hershme të ditës së enjte ofensivën ndaj Ukrainës
12:44 – SHBA-ja ka frikë se Kievi mund të bjerë në duart e Rusisë brenda pak ditësh
Burimet kanë thënë se vlerësimi fillestar i SHBA-së para pushtimit i cili parashikonte se kryeqyteti ukrainas do të pushtohej brenda 1-4 ditë pas një sulmi rus, mbetet pritshmëria aktuale.
12:38 – Rreth 18 mijë armë u janë shpërndarë rezervistëve vetëm në Kiev
Rreth 18,000 armë me municion u janë shpërndarë rezervistëve vetëm në rajonin e Kievit, që nga fillimi i pushtimit rus të enjten herët, kanë bërë të ditur autoritetet ukrainase.
Në një deklaratë të përbashkët, ministri i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov dhe Valeriy Zaluzhniy, shefi i shtabit të Forcave të Armatosura, kanë thënë se do të shpërndahen më shumë armë.
“Së shpejti do të marrim mbështetje shtesë me armë moderne dhe burime të tjera nga partnerët tanë,” kanë thënë ata.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky urdhëroi të enjten një mobilizim të përgjithshëm ushtarak.
Për të garantuar mbrojtjen e shtetit, për të ruajtur gatishmërinë luftarake dhe mobilizuese të Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe formacioneve të tjera ushtarake, u urdhërua një mobilizim me bazë të gjerë, duke përfshirë Kievin, dhe në të gjitha vendet kryesore të Ukrainës.
Kjo përfshinte ndalimin e daljes nga vendi të të gjithë shtetasve meshkuj nga 18 deri në 60 vjeç, sipas Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare.
Mobilizimi udhëzoi gjithashtu “rekrutimin e rekrutëve, rezervistëve për shërbimin ushtarak, dërgimin e tyre në njësitë ushtarake dhe institucionet e Forcave të Armatosura të Ukrainës” dhe shërbime të tjera të sigurisë shtetërore.
12:06 – Të paktën 25 civilë të vrarë nga sulmet ajrore në Ukrainë
Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka thënë se ka raporte se ka pasur të paktën 127 viktima civile në Ukrainë, me 25 të vrarë dhe 102 të plagosur, për shkak të “granatimeve dhe sulmeve ajrore” të Rusisë.
Më herët, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se më shumë se 130 ushtarë ukrainas janë vrarë nga sulmet e vazhdueshme ruse.
Ushtria ruse tashmë ka hyrë në Kiev, derisa Zelensky i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për më shumë presion ndaj Rusisë.
11:32 – Ushtria ukrainase po rekruton edhe personat mbi 60 vjeç
Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës, në një postim në Twitter, kanë bërë thirrje për rekrutë civilë, pavarësisht moshës.
Deklarata e komandantit të trupave thoshte “Nuk ka kufizime në moshë” – duke treguar se mund të lejohen edhe të miturit.
Megjithatë, një deklaratë e re nga ministri i Mbrojtjes Alexey Reznikov, duket se sqaron se lehtësimi i kufizimeve të moshës i referohet personave mbi 60 vjeç. Ai nuk ka përmendur të miturit.
“Vendosa, në marrëveshje me Komandantin e Trupave të Forcave të Armatosura të Ukrainës, të përfshij në Trupat e Patriotëve ata]mbi 60 vjeç, të cilët janë moralisht dhe fizikisht të gatshëm për të rezistuar dhe mposhtur armikun”, ka shkruar Reznikov.
10:58 – Ukrainasve u kërkohet të sulmojnë me koktej molotovi
Ukrainasve po u bëhet thirrje që të sulmojnë me koktej molotovi.
Madje, Ministria e Brendshme ka publikuar udhëzime për shtetasit e saj se si bëhet kokteji.
Thirrja ishte bërë qysh para hyrjes së rusëve në kryeqytet, Kiev. Por, edhe pasi u futën trupat ruse, thirrja ka vazhduar.
Në Kiev qytetarët po lajmërohen përmes sirenave të alarmit që shkojnë nëpër streha.
Thirrjen e njëjtë e ka bërë edhe Ministria e Mbrojtjes.
“I thërrasim qytetarët që të na informojnë për lëvizjen e trupave, të bëjnë koktej molotovi dhe të neutralizojnë armikun”, thuhej në lajmërimin e ministrisë.
10:33 – Ukraina: Rusia bombardoi 33 zona të civilëve
Forcat ushtarake të Rusisë po shënjestrojnë dhjetëra zona civile, ka thënë një zyrtar i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës.
“Rusët thonë se nuk po sulmojnë objekte civile, por 33 zona civile janë goditur gjatë 24 orëve të fundit”, ka thënë Vadym Denysenko për reuters.
Rusët janë futur në Kiev pas avancimit nga veriu, lindja e jugu i Ukrainës që kur filloi pushtimi të enjten.
Ukrainasit u kanë bërë thirrje banorëve që të luftojnë me kokteje molotovi.
09:58 – Zelensky: Nuk janë shteruar të gjitha mundësitë për sanksione kundër Rusisë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka thënë presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, se nuk janë shteruar të gjitha mundësitë për sanksione ndaj Rusisë.
Zelensky ka deklaruar gjatë bisedës me Von der Leyen, se presioni ndaj Rusisë duhet të rritet.
“Jo të gjitha mundësitë për sanksione janë shteruar. Presioni ndaj Rusisë duhet të rritet. Ia thash këtë Von der Leyenit. I jam mirënjohës presidentes për vendimin e saj për ndihmë shtesë financiare”, ka shkruar Zelensky në Twitter.
09:33 – Ushtria ruse futet në Kiev
Operativët rusë janë tani në Kiev, kanë konfirmuar zyrtarët e Ukrainës në një postim në Twitter.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka thënë se “armiku” ishte në rrethin e Obolonit, rreth 9km në veri të parlamentit të Ukrainës.
Ministria ka inkurajuar vendasit të bëjnë kokteje molotov për të luftuar, ndërsa këshillojnë gjithashtu të tjerët të kërkojnë strehim.
“Banorë, të qetë- kini kujdes. Mos dilni nga shtëpia!”, ka kërkuar ministria ukrainase e Mbrojtjes.








