Ministri për të Drejtat e Njeriut, të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, i hodhi poshtë si të pasakta dhe të pabazuara pretendimet e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare, Enkel Rexhepi, për diskriminim të supozuar dhe arsye politike për bllokimin e donacioneve të destinuara për këtë këshill.
Ministri Berisha theksoi se deklarata të tilla e politizojnë çështjen dhe në mënyrë tendencioze vënë në dyshim veprimin ligjor dhe profesional të ministrisë përkatëse. Sipas tij, çdo pretendim se vendimet merren mbi baza politike është i pabazë dhe i dëmshëm, pasi minon besimin e qytetarëve të Republikës së Serbisë në institucione.
Ai shpjegoi se mjetet financiare të dërguara nga institucionet e përkohshme të Prishtinës janë ndaluar pasi është konstatuar se nuk janë në përputhje me Ligjin për Këshillat Kombëtare të Pakicave Kombëtare, i cili përcakton se çdo bashkëpunim duhet të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Serbisë, duke respektuar integritetin territorial dhe rendin juridik të saj.
“Në përputhje me këtë, përdorimi i këtyre mjeteve nuk është i mundur, për këtë arsye ato janë kthyer te dërguesi,” deklaroi ministri Berisha.
Sa i përket pretendimeve lidhur me tekstet shkollore, ai i bëri sërish thirrje z. Rexhepi që, në përputhje me ligjin, t’i japë miratimin Ministrisë së Arsimit për 76 tituj që janë në përgatitje dhe presin aprovimin e Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare për t’u shtypur dhe shpërndarë.
Ministri kujtoi se ministria përkatëse financon rregullisht dhe në mënyrë të vazhdueshme punën e këshillave kombëtare të pakicave me mjete nga buxheti i Republikës së Serbisë. Ai saktësoi se për funksionimin e rregullt të Këshillit Kombëtar të Pakicës Shqiptare, gjatë tre viteve të fundit janë paguar gjithsej 43.670.053 dinarë.
Ai shtoi se vetëm gjatë vitit të kaluar janë ndarë 14.065.219 dinarë për financimin e rregullt të këtij këshilli, ndërsa këtë vit janë parashikuar 14.037.156 dinarë, prej të cilave që nga fillimi i vitit janë paguar tashmë 4.680.845 dinarë.
Gjithashtu, sipas ministrit, gjatë tre viteve të fundit janë financuar 12 projekte të pakicës shqiptare përmes konkursit nga Fondi Buxhetor për Pakicat Kombëtare, në vlerë totale prej 5.823.000 dinarësh.
“Këto të dhëna tregojnë qartë se shteti siguron mbështetje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme për punën e këshillave kombëtare. Nuk mund të flitet për diskriminim nëse fondet sigurohen, planifikohen dhe paguhen rregullisht në përputhje me ligjin,” theksoi ministri.
Ai rikujtoi se të gjitha transaksionet financiare, përfshirë donacionet, duhet të jenë plotësisht në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi të Republikës së Serbisë.
Duke theksuar se organet kompetente veprojnë sipas procedurave të përcaktuara, duke garantuar ligjshmërinë, transparencën dhe sigurinë e rrjedhave financiare, ministri shtoi se në rast të parregullsive apo mungesave në dokumentacion, institucionet janë të detyruara të reagojnë sipas ligjit, gjë që nuk mund të interpretohet si vendim politik.
“Nuk ka qëndrim personal të ministrit, por zbatim të ligjit. Në vend që të paraqesë të pavërteta, i bëjmë sërish thirrje z. Rexhepi që të kryejë detyrat në përputhje me kompetencat e tij që rrjedhin nga Ligji për Këshillat Kombëtare të Pakicave Kombëtare, sepse këtu nuk bëhet fjalë për diskriminim të popullsisë shqiptare, por vetëm për veprim të paligjshëm nga ana e tij,” përfundoi ministri Berisha, thuhet në faqen e Ministrisë












