Ministri Berisha: Shqiptarët në Serbi nuk kanë nevojë për përçarje politike, por për përgjegjësi dhe bashkëpunim

0
109

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror Demo Berisha ka reaguar me maturi ndaj deklaratave dhe veprimeve të fundit të deputetit Shaip Kamberi dhe strukturave të PVD-së, veçanërisht kryetarit të KKSH-së, Enkel Rexhepit, duke vlerësuar se retorika e tyre politike po kontribuon në krijimin e përçarjeve mes shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

Berisha theksoi se shqiptarët në Serbi kanë të drejtë të ruajnë identitetin e tyre kombëtar, kulturor dhe gjuhësor, dhe sipas tij, shteti serb asnjëherë nuk ka kërkuar që ata të heqin dorë nga kombësia apo identiteti i tyre.

“Çdo komunitet që jeton në Serbi, ashtu si në çdo shtet tjetër demokratik, duhet të përshtatet dhe të veprojë në përputhje me ligjet dhe institucionet e atij vendi. Këtë ua kam thënë edhe gjatë takimeve që kam pasur me përfaqësues ndërkombëtarë dhe diplomatë të huaj”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se nuk është e pranueshme që dikush të jetojë në Serbi, të përfitojë nga institucionet dhe sistemi i saj, ndërsa në të njëjtën kohë të veprojë sipas direktivave politike të faktorëve të jashtëm.

“Nuk mund të jetosh në Serbi, të marrësh pagë nga Serbia dhe njëkohësisht të ndjekësh politika dhe direktiva të dikujt tjetër. Albin Kurti më mirë do të ishte të merrej me problemet dhe politikat e tij në Kosovë, ndërsa shqiptarët në Serbi duhet t’i lërë të qetë, sepse për ta ka kush të punojë dhe të angazhohet për përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre”, u shpreh ai.

Sipas Berishës, deklaratat e fundit të Kamberit dhe Rexhepit kanë karakter kryesisht politik dhe synojnë ngritjen e rejtingut partiak.

“Këto deklarata janë më shumë për konsum politik sesa për interesin real të shqiptarëve në Serbi. Shqiptarët duhet ta kenë të qartë se nëse bashkësia ndërkombëtare vlerëson se ekzistojnë padrejtësi dhe kërkon zgjidhje, ato zgjidhje nuk mund t’i realizojnë as Kamberi, as Rexhepi, e as Albin Kurti”, tha ai.

Berisha nënvizoi se sensibilizimi i problemeve të shqiptarëve në Serbi nuk është monopol i një partie politike, por një çështje që i përket të gjithë komunitetit shqiptar.

“Nuk mund të pretendohet se vetëm një subjekt politik përfaqëson hallet dhe interesat e shqiptarëve. Problemet dhe kërkesat e shqiptarëve janë çështje të një pakice kombëtare në tërësi dhe kërkojnë qasje serioze, institucionale dhe të përgjegjshme”, deklaroi ministri.

Në fund, Berisha porositi që energjia politike të mos shfrytëzohet për propagandë dhe përçarje, por për dialog dhe përmirësimin konkret të jetës së qytetarëve shqiptarë në Serbi.

“Kamberi dhe struktura e tij le të vazhdojnë me propagandën politike të Albin Kurtit, por sa i përket kushteve dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi, ka njerëz dhe institucione që merren seriozisht me këtë çështje”, përfundoi Berisha.