Për shkak të indikacioneve të inteligjencës për një sulm të mundshëm në katedralen e famshme në Këln të Gjermanisë, gjatë ditës së djeshme turnet turistike janë të ndaluara dhe besimtarët për meshën e mesnatës së Krishtlindjeve në katedrale u janë nënshtruar kontrolleve të rrepta të sigurisë.
Në Austri, policia në Vjenë tha se po rritë gjithashtu sigurinë rreth kishave dhe tregjeve të Krishtlindjeve, me sa duket duke iu përgjigjur të njëjtës inteligjencë për një kërcënim të mundshëm.
Policia nuk ka dhënë informacion shtesë, por agjencia DPA deklaroi se ishte një kërcënim nga një grup ekstremist islamik.
Policia në Këln tha se po merrte masa paraprake gjatë festave të Krishtlindjeve, megjithëse informacionet që morën kishin të bënin me natën e ndërrimit të viteve.
Komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson paralajmëroi më 5 dhjetor se Evropa përballet me një rrezik të lartë të sulmeve terroriste gjatë festave të fundvitit për shkak të pasojave të luftës midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas.
Tre të dyshuar tashmë janë arrestuar në Austri, ndërkaq që siguria është rritur dukshëm në shumë metropole evropiane.
Tre persona të dyshuar si të përfshirë në një rrjet islamik janë arrestuar në Austri, njoftuan autoritetet e atjeshme, ndërsa ai vend dhe Gjermania fqinje rritën sigurinë rreth kishave dhe tregjeve të Krishtlindjeve për shkak të “rritjes së rrezikut” të sulmeve.
Policia në Evropë ka shtuar kontrollin, veçanërisht rreth kishave, ceremonive fetare dhe tregjeve të Krishtlindjeve në Vjenë.
“Nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm për një sulm në Vjenë”, tha policia.
Dhe autoritetet gjermane thanë se kishin rritur masat e sigurisë veçanërisht në dhe rreth Katedrales së Këlnit, një nga më të vizituarat në vend, për shkak të rrezikut të sigurisë që lidhet me kërcënimin e përshkruar si “islamist”.
Gazeta gjermane Bild raportoi të shtunën se shërbimet e sigurisë të Austrisë, Gjermanisë dhe Spanjës kanë marrë indikacione se një grup islamik dëshiron të kryejë disa sulme në Evropë, ndoshta në natën e Vitit të Ri dhe gjatë Krishtlindjeve.
Sipas gazetës, objektivat e atyre sulmeve mund të jenë mesha e Krishtlindjeve në Këln, Vjenë dhe Madrid.








