Një situatë e vërtetë rrethimi u zhvillua gjatë gjithë natës në Dortmund. Njësitë speciale të policisë, të armatosura rëndë, rrethuan ndërtesën në rrugën Witbräucker, ndërsa negociatorët përpiqeshin ta bindnin burrin që të dorëzohej dhe të lironte fëmijët.
Sipas mediave gjermane, ngjarja nisi të martën në mbrëmje, kur 51-vjeçari dyshohet se hapi zjarr ndaj një polici. Më pas, ai u barrikadua në apartament së bashku me tre vajzat e tij të mitura, të moshave 7, 10 dhe 12 vjeç. Fatmirësisht, vajzat nuk pësuan lëndime dhe pas përfundimit të dramës u morën nën kujdes nga policia.
Operacioni i policisë zgjati me orë të tëra. Në terren ishin vendosur edhe automjete të blinduara, ndërsa pjesëtarët e njësive speciale mbanin mburoja balistike. Tensioni vazhdoi deri në momentin kur i dyshuari, sipas raportimeve, kontaktoi me prindërit e tij dhe më pas vendosi të dorëzohej.

Kriza me pengje u parapri nga një incident në restorant
Sipas informacioneve të mediave gjermane, para ngjarjes kishte ndodhur një incident në një restorant, ku burri kishte shkaktuar kaos, kishte kërcënuar mysafirët dhe i kishte spërkatur me sprej piper. Pas kësaj, ai ishte larguar me veturë.
Drama kulmoi rreth orës 19:15, kur policia, pas një thirrjeje për ndihmë nga një grua, mbërriti në ndërtesën banesore dhe afariste. Në atë moment, i dyshuari dyshohet se iu afrua policëve dhe qëlloi me armë zjarri të kalibrit të vogël ndaj njërit prej tyre.
“Plumbi goditi jelekun antiplumb të policit”, deklaroi zëdhënësi i policisë.
Polici pësoi lëndime të lehta, ndërsa sulmuesi më pas u mbyll në banesë dhe u barrikadua me fëmijët.













