◾Presidenti Joe Biden mendon se Vladimir Putin është me shpatulla pas murit në lidhje me luftën në Ukrainë duke rritur rrezikun që ai të mund të përdorë armë kimike ose biologjike.
◾Shtëpia e Bardhë po ashtu paralajmëron se Rusia mund të kryejë sulme kibernetike ndaj SHBA-së si përgjigje ndaj sanksioneve.
◾Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka thënë se forcat e vendit të tij kanë ngadalësuar progresin e ushtrisë armike.
◾Ushtria ukrainase ka thënë se Rusia ka rritur prezencës me avionë gjatë 24 orëve të fundit.
◾Zelensky ka bërë thirrje për një takim me Putin duke thënë se nuk do të mund të arrihet një marrëveshje për fundin e luftës pa u ulur së bashku në tryezë.

Ushtria ukrainase: Rusia ka shtuar prezencën ajrore
Forcat ruse kanë “shtuar prezencën ajrore mbi qiellin e Ukrainës” në 24 orët e fundit, thotë ushtria e Ukrainës.
“Përveç përdorimit të shumë mjeteve ajrore pa pilot, armiku përdor bombardues, avionë luftarakë, raketa të kontrolluara dhe balistike në drejtime të ndryshme”, tha në një deklaratë Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës.
Në reagim thuhet po ashtu se të hënën Ukraina shkatërroi një avion rus, dy helikopterë dhe gjashtë dronë.

Japonia dënon tërheqjen e Rusisë nga traktati i bisedimeve të paqes
Japonia kritikoi të martën vendimin e Rusisë për t’u tërhequr nga bisedimet dypalëshe të traktatit të paqes dhe për të pezulluar projektet e përbashkëta ekonomike në lidhje me ishujt e diskutueshëm.
Rusia dhe Japonia ende nuk i kanë përfunduar zyrtarisht armiqësitë e Luftës së Dytë Botërore për shkak të përplasjes mbi ishujt që ndodhen pranë ishullit më verior të Japonisë, Hokkaido. Ata njihen në Rusi si Kurilët dhe në Japoni si Territoret Veriore.
Vendimi i Moskës për t’u tërhequr nga bisedimet vjen si hakmarrje ndaj sanksioneve të vendosura nga Tokio për pushtimin rus të Ukrainës.
Ishujt u pushtuan nga Bashkimi Sovjetik në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe Rusia pretendon se marrja e tyre ishte po aq e drejtë sa çdo ndryshim ndërkombëtar i kufijve pas luftës. Japonia e ka kundërshtuar këtë.
“E gjithë kjo situatë është krijuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe përgjigja e Rusisë është jashtëzakonisht e padrejtë dhe krejtësisht e papranueshme”, tha kryeministri japonez Fumio Kishida.
Japonia ka vendosur sanksione ndaj 76 rusëve, 7 bankave dhe 12 organeve të tjera, përfshirë zyrtarë të mbrojtjes dhe eksportuesin shtetëror të armëve, Rosoboronexport.

Biden paralajmëron ashpërsinë e sulmeve të Putin: Është me shpatulla pas murit
Presidenti Joe Biden ka thënë mbrëmjen e kaluar se Vladimir Putin është me shpatulla pas murit në Ukrainë ndërkohë që lufta në Ukrainë ka hyrë në javën e katërt. Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Biden ka thënë se beson se Rusia po përgatitet për operacione false, për të akuzuar palët e tjera.
“Putin është me shpatulla pas murit. Ai nuk e priste shtrirjen dhe forcën e unitetit tonë. Dhe sa më shumë të gjendet me shpatulla pas murit, më e madhe është mundësia e përdorimit të taktikave të ashpra. E kemi parë edhe më parë. Ai ka bërë shumë operacione false. Kur fillon të flasë për diçka që mendon se është gati ta bëjë NATO, Ukraina apo SHBA, do të thotë që ai është gati ta bëjë atë për të cilën akuzon”, tha Biden.
Presidenti i Amerikës ka thënë se fakti që Rusia thotë që në Ukrainë ka armë biologjike dhe kimike është një shenjë që tregon se Putin është gati t’i përdorë të dyja këto lloj armësh.
Ministria e Mbrojtjes ruse ka akuzuar Kievin se ka planifikuar një sulm kimik kundër popullit të vet, por pa sjellë asnjë provë. Këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan ka paralajmëruar Rusinë për pasoja nëse vendos që të përdorë armë biologjike në Ukrainë. Ky koment është bërë në hillim të Marsit dhe Shtëpia e Bardhë nuk ka specifikuar se cilat do të jenë këto pasoja.

Ushtria ukrainase: Rusët kanë edhe 3 ditë karburant
Ushtria e Ukrainës thotë se forcat ruse kanë vetëm 3 ditë furnizime me karburant, të cilat po i plotësojnë nga kamionë-cisternë.
Në ditën e 27-të të luftës, Kievi tha se Forcat Ajrore kanë goditur 9 objektiva ruse.
Në krahun tjetër Moska njoftoi se ka shtuar prezencën e saj ajrore mbi Ukrainë.
Një gazetë ruse publikoi disa numra te ushtareve të vrarë në Ukrainë me rreth 10 mijë viktima dhe mbi 16 mijë të plagosur, por më pas njoftoi se faqja e saj ishte hakeruar.
Presidenti amerikan Joe Biden tha se ka shenja të qarta që Vladimir Putin mund të jetë duke u përgatitur për të përdorur armë kimike dhe biologjike në Ukrainë.
Biden thotë se udhëheqësi rus është konfuz dhe pa rrugëdalje, kjo edhe si rezultat i rezistencës ukrainase.








