Avdi (Ramiz) Avdiu lindi në vitin 1951 në Tërrnoc. Ishte djali i vetëm i Ramizit të Terzive.
Shkollën fillore, Avdiu e kreu në vendlindje. Ndërsa të mesmen teknike, drejtimi i rrobaqepësisë, në gjuhën serbe në Bujanoc. Pasi përfundoi shkollimin e mesëm dhe zanatin, për disa vite punoi te mjeshtri ku e mori zanatin në Bujanoc.
Sipas rrëfimit të djalit të tij Ekremit, në vitin 1973 shkon për të punuar në Paris të Francës. Atje arrin që me sukses të punojë e të depërtojë te kreatorët e modës të këtij kryeqyteti evropian. Pas dhjetë vjetësh punë profesionale, me një përvojë të jashtëzakonshme, Avdiu kthehet në vendlindje për të vazhduar dhe për ta ushtruar zanatin e tij aq të dashur deri në fund të jetës.
Avdi (Ramiz) Avdiu vdiq në vitin 2018. Vdekja e këtij mjeshtri ishte një humbje e madhe për fshatin, pasi ishte i vetmi dhe i fundit rrobaqepës, që e ushtroi këtë zeje në Tërrnoc.
Pas vetes Avdiu la gruan dhe tre djem e dy vajza.
Në foto: Avdi (Ramiz) Avdiu -rrobaqepës
(Autori është Nehat Salih)








