Serbia ndërpret transmetimin e energjisë për Kosovën

0
384

Menjëherë pas fillimit të operimit të pavarur të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova kishte importuar nga ky shtet, ka bërë të ditur për REL, Nebih Zariqi, anëtar i bordit të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

Këta megavat të bllokuar nga Serbia, shton Zariqi, u zëvendësuan pastaj me një marrëveshje të arritur ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut, për furnizim nga kapacitetet energjetike të këtij shteti.

“Dihet se Serbia është prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në regjion dhe të gjitha shtetet e regjionit pjesërisht furnizohen nga Serbia. Kosova nuk i plotëson kapacitetet prodhuese të energjisë. Kemi pasur mungesë prej 500 megavatësh. Ata megavat deri në atë moment janë marrë nga Serbia dhe në momentin e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, pra pavarësimit të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia e ka ndërprerë transmetimin e energjisë për Kosovën”.

“Tashmë jemi të sigurt në operim të energjisë elektrike, kështu që besoj që do të ketë një stabilitet të madh këto ditë”, thotë Zariqi, duke shtuar se tashmë është futur në sistem edhe linja 400 kV interkonektive me Shqipërinë.

Nga dita e hënë (14 dhjetor) KOSTT-i operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës. Dalja e Kosovës nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor. Ajo hyri në fuqi më 29 shtator.

Nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit deklaruan për Radion Evropa e Lirë se zbatimi i marrëveshjes me ENTSO-në do të jetë në fazë testuese deri më 31 dhjetor, dhe se lidhur me këtë, janë të angazhuar të gjithë aktorët e sektorit të energjisë.

“Në këtë proces deri tash ka raportime që gjithçka po shkon si duhet. Nuk duhet të anashkalohet assesi ndihma e partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në një përgjigje të ministrisë.

Para pavarësimit të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia vazhdimisht ka shkaktuar probleme me alokimin e kapaciteteve, thotë Nebih Zariqi, anëtar i bordit të KOSTT-it.

“Serbia kur ka dashur, ka bërë pengesa në ato kapacitete që i kemi importuar, gjegjësisht nga shtetet e ndryshme që tregtarët kanë aplikuar përmes rrjetit të sistemit të Serbisë”, thotë ai.

Po ashtu, qytetarët që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), që nga përfundimi i luftës më 1999, nuk i kanë paguar faturat e energjisë edhe pse janë furnizuar nga Kosova, e sipas nevojës edhe nga Serbia. Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e energjisë së shpenzuar në këto komuna.

Që nga viti 1999 deri në vitin 2017, këto mjete janë paguar nga qytetarët tjerë të Kosovës.