
Bilanci i rrezik/përfitimit vazhdon të peshojë kryesisht në favor të përdorimit të vaksinës antiCOVID-19 të AstraZeneca-s, tha sot një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Sipas gjendjes aktuale të dijeve të disponueshme, bilanci rrezik/përfitim mbetet pozitiv”, këmbënguli Rogerio Pinto de Sa Gaspar, drejtori i OBSH-së, i ngarkuar për Rregullimin, raporton Afp.
“Këto përfitime janë me të vërtetë shumë të rëndësishme në drejtim të zvogëlimit të vdekshmërisë në mesin e popullatave që vaksinohen”, shtoi ai gjatë një konferencë shtypi të OBSH-së për Ditën Botërore të Shëndetit, duke vënë në dukje se ekspertët dhe media priren të përqendrohen vetëm te rreziqet.
Deklarata e tij vjen ndërkohë që ekspertët e shëndetësisë u mblodhën këtë javë për të diskutuar një lidhje të mundshme midis kësaj vaksine dhe llojeve të caktuara të rralla të trombozës.







