Ministri Berisha dënon çdo veprim që ka për qëllim nxitjen e gjuhës së urrejtjes në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë

0
283

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialogut Shoqëror Demo Berisha, dënon fuqishëm çdo gjuhë të urrejtjes dhe çdo veprim që synon të përçajë komunitetet në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Në deklaratën dhënë LajmiAL Ministri Berisha ëhstë shprehur se ”shoqëritë tona ndërtohen mbi respektin, barazinë dhe dinjitetin njerëzor. Lugina e Preshevës është hapësirë ku komunitete të ndryshme etnike kanë jetuar e bashkëjetuar ndër shekuj.

Çdo thirrje që nxit urrejtje apo përjashtim dëmton jo vetëm harmoninë e brendshme, por edhe perspektivën e zhvillimit e të ardhmes së sigurt për të gjithë qytetarët” është shprehur Ministri Berisha.

Ai më tej ka shtuar se, “U bëj thirrje institucioneve, liderëve politikë, organizatave të shoqërisë civile dhe vetë qytetarëve që të refuzojnë me vendosmëri gjuhën e urrejtjes dhe të kontribuojnë për një klimë mirëkuptimi, dialogu e respekti të ndërsjellë. Vetëm përmes bashkëjetesës së qëndrueshme mund të ndërtojmë prosperitet dhe stabilitet të përbashkët”.

Sipas Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialogut Shoqëror Demo Berisha, e ardhmja e tri komunave në Jug të Serbisë është e bazuar mbi dialog, mirëbesim dhe zhvillim. Urrejtja nuk ka vend. Bashkëjetesa dhe respekti janë garancia më e fortë për sigurinë dhe perspektivën e të gjithëve./LajmiAL/