Në vend se të jenë zë i fuqishëm i qytetarëve të Luginës në institucione vendimmarrëse, liderët tanë shqiptarë janë kthyer në “opinionistë të Facebook-ut”.
Sa herë ndodh një ngjarje që prek jetën e shqiptarëve të Luginës – qoftë grafiti me emrin e kriminelit të dënuar Ratko Mladiq, qoftë diskriminimet e përditshme – reagimi i parë e shpesh i fundit i tyre është një status në rrjete sociale.
Por reagimet në Facebook nuk kanë asnjë peshë ligjore. Një “like”, një “share” apo një “emoji i zemëruar” nuk ndryshojnë realitetin e vështirë që e jeton qytetari i thjeshtë i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Ato janë vetëm fjalë të lehta, të hedhura për të treguar se “po reagojmë”, ndërkohë që heshtja mbretëron aty ku vërtet duhet të flitet: në parlament, në qeveri, në gjykata, në organizata ndërkombëtare.
E gjithë kjo e bën lidershipin shqiptar të Luginës të duket si i shkëputur nga realiteti. Në vend të veprimeve politike, diplomatike e ligjore, në vend të presionit institucional, ata na servirin statuse. Në vend të një strategjie afatgjatë, kemi postime të shkurtra që harrohen pas pak orësh në rrjedhën e pafund të Facebook-ut.
Qytetarët e Luginës nuk kanë nevojë për liderë që bëjnë “reagime virtuale”. Ata kanë nevojë për përfaqësues që e ngritin zërin aty ku vendosen ligje, aty ku mund të parandalohet ngritja e grafiteve me emrin e kriminelëve të luftës, aty ku mund të kërkohet drejtësi dhe siguri.
Përndryshe, gjithçka mbetet vetëm teatër në rrjete sociale – dhe ndërkohë realiteti i hidhur i Luginës vazhdon të mbetet i pandryshuar.
Megjithatë, një përjashtim së fundi është angazhimi i deputetit Shaip Kamberi, i cili ka intensifikuar përpjekjet e tij në parlamentin serb, duke ngritur disa raste konkrete që prekin shqiptarët e Luginës. Pavarësisht kufizimeve, veprimet e tij tregojnë se zëri politik shqiptar mund të dëgjohet edhe jashtë Facebook-ut, në hapësirat ku vendosen ligje dhe merren vendime. Kjo është rruga që duhet ndjekur, jo teatrot virtuale që shuhen pas pak orësh në “newsfeed”.
Është koha që liderët e tjerë të zgjedhin: ose të bëhen vërtet përfaqësues të popullit duke dalë nga ekrani i telefonit, ose të pranojnë se janë vetëm “status-shkrues” profesionistë, që mbijetojnë me reagime boshe. Lugina nuk ka luks të udhëhiqet nga politikanë të tillë./LajmiAL/












