Haki (Januz) Avdiu lindi në vitin 1929 në Tërrnoc dhe ishte djali i Januzit të Terzive të Tërrnocit. Shkollimin e ulët fillor, Hakiu e kreu në gjuhën serbe.
Familja e tij merreshin kryesisht me bujqësi, prandaj Hakiu i ndihmonte familjes.
Si i ri u punësua në minierën e Antimonit në Tërrnoc ku punoi derisa u ftua në shërbim ushtarak, shërbim që e kreu për tri vite në Shkup e Leskoc. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, kthehet në vendlindje, ku vaxhdon t’i ndihmojë familjes. Kështu nisi të ushtronte vetvetiu zanatin e muratorit, si dhunti që ia kishte dhënë Zoti.
Për aq sa kishte arsimim, e njihte mirë matematikën dhe sipas familjarëve të tij, ishte një arkitekt i kohës. Ishte trup madh dhe i fuqishëm dhe e njihte i tërë fshati.
Vlen të theksohet që zanatin e muratorit, Hakiu e ushtronte me zell të madh. Kështu që pas tërmetit që kaploi Shkupin, Hakiu për tre muaj ndihmoi në ndërtimin e shtëpive të rrënuara. Në vitin 1981 shkon për të punuar në Zvicër, ku punon po ashtu tre muaj. Pas pensionimit, kohën e pleqërisë e kaloi në Tërrnoc.
Vdiq në vitin 2015, duke lënë pas vetes katër fëmijë. Dy djem: Ajdinin dhe Zijadinin dhe dy vajza.
Në foto: aga Haki i Terzive
(Autori është Nehat Salihu)








