Biserko: Nuk do të ketë ndryshim të kufijve, shqiptarët duhet të integrohen në shoqërinë, institucionet dhe kulturën serbe

0
227

“Meqenëse nuk do të ketë shkëmbim territoresh ose ndryshime kufijsh, situata e shqiptarëve nga jugu i Serbisë duhet të zgjidhet në një mënyrë që garanton integrimin e tyre në shoqërinë serbe, institucionet serbe dhe kulturën serbe,” ka thënë Sonja Biserko, presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

Ajo për Euroneës Albania ka thënë se të gjitha pakicat jetojnë në një lloj izolimi, por që komuniteti shqiptar është ndoshta më i prekuri sepse Kosova mbetet një çështje e hapur për Beogradin dhe është e lidhur drejtpërdrejt me zgjidhjen e statusit të saj.

Sipas Biserkos, kjo çështje duhet të merret seriozisht dhe duhet të përfshihet në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Unë mendoj se kjo çështje duhet të përfshihet në dialogun Prishtinë-Beograd, sepse është një nga problemet e pazgjidhura dhe njerëzit jetojnë në një vakum,” tha Biserko.

Ajo deklaroi se çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës është një çështje politike, e cila është peng e çështjes së statusit të Kosovës dhe të cilën Beogradi ende e konsideron të pazgjidhur, raporton Euroneës Albania.

Biserko shtoi se bashkësia ndërkombëtare duhet të rritë presionin mbi Beogradin për të zbatuar marrëveshjet e nënshkruara mbi integrimin e pakicave.

“Ata duhet ta marrin seriozisht këtë problem dhe të inkurajojnë Serbinë të zbatojë marrëveshjet e arritura midis të dy palëve pas vitit 2000 dhe 2001, pas së cilës kishte tre marrëveshje mbi integrimin e komunitetit shqiptar në institucionet shtetërore dhe publike, të cilat nuk ndodhën.

Në fillim dukej se kjo linjë do të ndiqej, por fatkeqësisht gjithçka u ndal dhe shumë pak njerëz u integruan në institucione. Prandaj, duhet bërë më shumë “, përfundoi Biserko.