Biografia e elektricistit të parë në Tërnoc

0
641

Riza (Ramiz) Aliu (1925-2003) – elektricist

Riza (Ramiz) Aliu, lindi më 30. 06. 1925, në Tërnoc, lagja Tole. Ishte I biri I Ramizit të Toleve të Tërrnocit. Rrjedh nga një familje e varfër muhaxhirrësh të ardhur nga Piroti (Shalqoi), diku në vitin 1887 dhe sipas të dhënave të familjarëve të tij, e vendosur përkohësisht në Tërnoc edhe atë në fisin Berishë, sepse edhe këta i takonin atij fisi; Nehat Ramizi, I biri I Riza Aliut thotë që “Fisi e kishte obligim moral t’i ndihmonte fisit të tij. Të gjithë muhaxhirët nga zullimi planifikonin të shpërnguleshin për në Turqi. Si muhaxhir edhe pse kishin pasur shumë pasuri, në Tërnoc kishin mbetur si të thuash veç me duar në xhepa, sepse të gjitha ia kishin plaçkitur, duke udhëtuar nga Piroti deri në Tërnoc. Edhe unë si pasardhës i kësaj familje gjithmonë e kam thënë dhe do të them me krenari se i takoj një populli shumë liridashës edhe më shumë humanitar. Sikur të mos i kishte këto veti Tërnoci me siguri se familja ime nuk do të ishte sot banore e Tërnocit as unë e as familja ime e gjerë. Po Tolet zemërmëdhenj nuk na lanë në baltë po na ndihmuan me aq sa kishin mundësi bile edhe i tejkaluan mundësitë e veta. Dikush na fali truall për shtëpinë, dikush një arë, tjetri një arë tjetër, një lopë, një gomaricë dhe ne aspak nuk mbetëm inferior ndaj pjesës tjetër të lagjes. Këtë e thash se ne në Tërnoc e filluam jetën nga shkronja e parë edhe ate nga a-ja e vogël, dhe duke i falënderuar Tolëve dhe fisit tim Berishë sot jemi aty ku janë edhe të tjerët”. Thotë Nehat Ramizi, djali I Rizës.
Përndryshe, (Riza Ramiz) Aliu, ishte fëmija i parë i lindur si muhaxhir në Tërnoc,. Edhe në Tërrnoc, sipas familjarëve të tij, nuk u ishte ndalur zullumi nga pushteti serb. Dy xhaxhallët e Rizahut e kishin pësuar me jetë. (edhe sot kësaj dite nuk i dihen ku i pushojnë eshtrat e tyre).
Riza ishte pra fëmija i parë dhe pas tij u rradhitën edhe katër djem dhe dy vajza. Edhe një dëshmi se ai si i ri ishte i kyçur në aradhat partizane edhe këtu e dha ndihmesën e vet për popullin dhe për vendin, (për këtë ka dëshmi si anëtarë i Shoqatës së Luftëtarëve nga LNÇ e Jugosllavisë). Si ri nuk pati mundësi fare të shkollohet, po shkrim leximin e ka përvetësuar, duke qenë ushtar i ish Jugosllavisë. Atje mësoi shkrim lexim edhe atë vetëm në qirilicë, sepse s’pati mundësi tjetër. Fillimisht, për të siguruar mbijetesën familjare nis punën në xeherore. Po në këtë kohë i bëhet ftesë nga xeherorja Bor, për një grup të rinjësh që do të aftësoheshin si elektricistë. Është shumë me rëndësi se babia i tij (Ramizi dhe nëna) nuk deshën ta largonin të birin e tyre, por insistimi i dajës, duke i thënë se zeja ka shumë rëndësi për të dhe familjen dhe vendin në tërësi.
Pas gjashtë muajsh, Riza kthehet në fshat si elektricist.
Riza tërë kohën gjatë jetës së vet i kushtoi dhe u profesionalizua si instalues i rrymës dhe puna e tij dha fryte, së pari për familjen dhe për vendin.
Është me rëndësi të cekim se nga të gjithë fshatrat e Luginës, Tërnoci i pari u bë me rrymë elektrike, kuptohet puna e Rizës ishte shumë domethënëse. Ai nuk kurseu fare mundin dhe djersën, që sa më shpejt të bëntr instalimin e rrymës në fshat, e për këtë ka merita të veçanta. U martua nga Tërnoci. Nga kjo martesë kishte katër djem e dy vajza, një djalë i ka vdekur, ndërsa sot janë në jetë të gjithë , të pestët fëmijët dhe të gjithë janë mbi 60 vjeçarë.
Aga Rizë vdiq në vitin 2003.

Në foto 1: aga Rizë me djalin Nehatin
Foto 2: Faksimil

(Autori është Nehat Salihu)