Shqetësuese janë përshkallëzimi i retorikës së fundit ndezëse mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht njoftimet për luftë dhe konflikt në Ballkanin Perëndimor.
Politikanët e lartë nga të dyja palët do të mbahen përgjegjës për çdo përshkallëzim që do të çonte në rritjen e tensioneve dhe dhunës së mundshme në rajon, tha Shërbimi i Çështjeve të Jashtme të BE-së (EEAS).
“Të dyja palët duhet t’i japin fund menjëherë armiqësisë së ndërsjellë dhe deklaratave të rrezikshme dhe të veprojnë me përgjegjësi”, thuhet në deklaratë.
Shtohet se të gjitha çështjet e hapura do të zgjidhen përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së.
“BE pret që të dy liderët të diskutojnë për këto tema problematike në takimin e radhës të nivelit të lartë, i cili u thirr për 18 gusht nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, mes Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministrit i Kosovës Albin Kurti”, thuhet në njoftim.
Tregohet gjithashtu se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në kontekstin e një dialogu të ndërmjetësuar nga BE kërkon një klimë të favorshme për rivendosjen e besimit, pajtimit dhe marrëdhënieve të mira, ku marrëveshjet e mëparshme do të respektohen dhe zbatohen plotësisht, dhe ku nuk ka vend për veprime dhe deklarata që nuk janë në përputhje me interesin e përgjithshëm dhe qëllimet strategjike të rajonit.
“BE-ja, duke përfshirë misionin e saj civil EULEX, mbetet në koordinim të ngushtë me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në”, theksohet në deklaratën e raportuar nga N1.
Kohët e fundit ka pasur disa deklarata nxitëse të politikanëve të lartë nga Beogradi dhe Prishtina, të shkaktuara nga vendimi i Kosovës për të filluar zbatimin e masave të reciprocitetit me Serbinë sa i përket targave dhe dokumenteve personale. Për shkak të presionit të bashkësisë ndërkombëtare ajo u shty dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se situata për serbët në Kosovë nuk ka qenë kurrë më e komplikuar, duke kërkuar nga shqiptarët, ndërkombëtarët dhe serbët e Kosovës që ta ruajnë paqen. “Nëse nuk duan ta ruajnë paqen, po ju them – Serbia do të fitojë”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha në një intervistë për Reuters më 10 gusht se do të ishte e papërgjegjshme të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja, duke marrë parasysh, siç tha ai, politikën agresive të Beogradit.
Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, i ka shprehur shqetësim ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, për thirrjet gjithnjë e më të shpeshta për luftë dhe konflikte nga Prishtina.








