Joe Biden është zyrtarisht presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fjalën e fundit e thanë anëtarët e Kolegjit Elektoral të cilët miratuan rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, hapi i fundit i demokratit drejt Shtëpisë së Bardhë.
Votimi erdhi pasi zgjedhësit e Kalifornisë vlerësuan fitoren masive të Biden me 5 milionë vota muajin e kaluar. Ai e kaloi pragun prej 270 votash elektorale të nevojshme për të siguruar presidencën.
Ky moment, shpallja zyrtarisht e fituesit ka marrë një rëndësi të veçantë në këtë zgjedhje për shkak të refuzimit të Presidentit Donald Trump për të pranuar se ai humbi garën presidenciale .
Në fjalën e tij të parë si president zyrtar, Joe Biden iu drejtua kombit duke u shprehur se demokracia u vu në provë por në fund të fundit fitoi.

“Ne njerëzit votuam, u ruajt fort besimi në institucionet tona, integriteti i zgjedhjeve mbeti i paprekur. Dhe kështu, tani është koha të kthejmë faqen siç kemi bërë gjatë gjithë historisë sonë.
Të bashkohemi. Të shërohemi. Siç e thashë përmes kësaj fushate, unë do të jem një president për të gjithë amerikanët Ne duhet të punojmë së bashku, t’i japim njëri-tjetrit një shans për të ulur tonet dhe mbi të gjitha ne duhet të mbështetemi fort në solidaritet”, tha presidenti i zgjedhur Joe Biden.
Refuzimi i Donald Trump për të pranuar realitetin është pranuar nga një pjesë e konsiderueshme e zyrtarëve të zgjedhur republikanë dhe pjesa më e madhe e bazës së partisë.
Madje, në Uashington gjatë fundjavës pati edhe protestat për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve ku mbështetësit e presidentit në largim brohorisnin, ‘Mjaft vodhët’!








