2027-ta pritet të nisë me rritje të pagës minimale. Qeverisë së Serbisë do t’i dorëzohet propozimi për përcaktimin e pagës minimale

0
271

Ministrja e Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Politikës Sociale, Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski, deklaroi sot se kjo ministri, në përputhje me Ligjin e Punës, do t’i dorëzojë Qeverisë së Serbisë propozimin për përcaktimin e nivelit të pagës minimale për periudhën janar–dhjetor 2027.

Ajo bëri të ditur se është propozuar një rritje prej 9.2 për qind, duke vlerësuar se kjo është një dëshmi se Serbia ruan stabilitetin ekonomik, pavarësisht situatës shumë të ndërlikuar të ekonomisë globale.

Pas mbledhjes së Këshillit Social-Ekonomik të Serbisë, ku nuk u arrit konsensus për rritjen e pagës minimale, Gjurgjeviq-Stamenkovski tha se diskutimet me përfaqësuesit e sindikatave, Unionin e Punëdhënësve dhe aktorët e tjerë socialë u zhvilluan në nivelin më të lartë.

“Diskutuam për të gjitha sfidat ekonomike, shkëmbyem qëndrime dhe, në përputhje me Ligjin e Punës, Qeveria e Serbisë do të marrë vendim për përcaktimin e pagës minimale, duke marrë parasysh të gjitha propozimet. Qëllimi është të ruajmë një ekuilibër ndërmjet interesave të punëdhënësve dhe të drejtave, si dhe cilësisë së jetës së punëtorëve”, deklaroi ministrja.

Ajo shtoi se Qeveria e Serbisë do të propozojë gjithashtu që rritja e pjesës së pagës që përjashtohet nga tatimi të jetë në të njëjtën përqindje me rritjen e pagës minimale. Sipas saj, kjo masë synon të mbrojë punëdhënësit, duke bërë që shteti të marrë përsipër barrën financiare të rritjes së pagës minimale, e cila vlerësohet në rreth 13 miliardë dinarë.