
Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiq, ka deklaruar se kjo parti do të marrë pjesë e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi dhe se do të ketë edhe kandidatin e saj për president të Serbisë.
Sipas Daçiqit, Bordi Kryesor i SPS-së, në mbledhjen e mbajtur në korrik, e ka mbështetur njëzëri vendimin që partia të garojë në mënyrë të pavarur në zgjedhje. Ai theksoi se vendimi është mbështetur nga të gjithë 500 anëtarët e pranishëm në mbledhje.
Ai hodhi poshtë gjithashtu spekulimet për bisedime të fshehta mes Partisë Përparimtare Serbe dhe SPS-së për krijimin e një koalicioni parazgjedhor.
Ai bëri të ditur se strukturat duhet të dorëzojnë, më së voni deri më 25 gusht, listat e kandidatëve për deputetë, si dhe propozimet për kandidatin për president të Republikës.

A ËSHTË DEKLARATA E DAÇIQIT NJË PARALAJMËRIM SE ZGJEDHJET PARLAMENTARE NË SERBI JANË AFËR?
Afati i vendosur për strukturat partiake, përgatitja e listave të kandidatëve dhe përcaktimi i kandidatit presidencial ngrenë një pyetje të rëndësishme: a po përgatiten partitë politike për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Serbi dhe a mund të jenë ato më afër nga sa është bërë e ditur publikisht?
Deklarata e Daçiqit nuk jep një datë konkrete për zgjedhjet, por ritmi i përgatitjeve brenda SPS-së mund të shihet si një sinjal politik se skenari i zgjedhjeve të ardhshme po merret seriozisht nga partitë në pushtet.











