Prindërit udhëtuan 100 kilometra me djalin e tyre të vdekur në sediljen e pasme: Gjatë gjithë kohës mendonin se po flinte!

0
49

Një çift prindërish po udhëtonte me makinë në një autostradë në Itali, kur për rreth 100 kilometra nuk e kuptuan se djali i tyre 31-vjeçar kishte ndërruar jetë në sediljen e pasme. Ata mendonin se ai po flinte, shkruan gazeta italiane Corriere della Sera.

Ngjarja tragjike ndodhi dje, rreth orës 07:30, në autostradën A21 Torino–Piacenza, mes daljeve Castello dhe Voghera. Familja me origjinë rumune ishte nisur drejt Torinos. Babai ishte në timon, nëna në sediljen e pasagjerit, ndërsa djali ndodhej në sediljen e pasme.

I riu ndërroi jetë nga një atak kardiak

Gjatë udhëtimit, i riu nuk reagonte më ndaj thirrjeve të prindërve, por ata fillimisht menduan se ishte duke pushuar ose duke fjetur.

Pas një kohe, kur tentuan ta zgjonin dhe nuk morën asnjë përgjigje, prindërit ndaluan makinën në një zonë pushimi. Kur e prekën, kuptuan se ai ishte pa ndjenja dhe nuk kishte më rrahje zemre.

Ata telefonuan urgjencën, por mjekët, pasi mbërritën në vendngjarje, mundën vetëm të konstatonin vdekjen. Sipas mediave italiane, 31-vjeçari kishte ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak. Prindërit u thanë mjekëve se djali kishte pasur më parë disa probleme të lehta me zemrën.

Hera e fundit që kishin komunikuar me të birin ishte rreth 100 kilometra përpara se të ndalonin makinën. Dyshohet se vdekja e tij ishte aq e papritur, sa nuk pati mundësi të kërkonte ndihmë.