Gati tridhjetë vjet pas pushimit të armëve në Ballkanin Perëndimor, dronë të rinj të armatosur janë duke patrulluar në heshtje mbi rajon, por askush nuk e di saktësisht numrin e tyre.
Marrëveshja për kontrollin nënrajonal të armatimit u nënshkrua në vitin 1996 – një vit pas përfundimit të luftës në Bosnje e Hercegovinë – nën kujdesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Me të u vendosën kufizime për numrin e tankeve, automjeteve të blinduara, artilerisë së rëndë, avionëve luftarakë dhe helikopterëve sulmues në Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, Serbi dhe Mal të Zi.
Por, sot, në këtë listë bie në sy mungesa e një arme moderne vdekjeprurëse: dronët e armatosur.
“Vetëm tri shtete zotëronin dronë të armatosur në vitin 2010. Në fund të vitit 2024, ky numër u rrit në mbi 40”, thotë për Radion Evropa e Lirë Antonio Prlenda, analist ushtarak nga Sarajeva, i cili së fundmi mbrojti tezën e magjistraturës për këtë temë.
Rregulla të reja të lojës së luftës
Dronët ushtarakë janë më të lirë, më të lëvizshëm dhe më vdekjeprurës sesa avionët luftarakë tradicionalë.
Ata janë bërë një armë e preferuar në konfliktet e sotme – nga Ukraina, përmes Kaukazit deri në Lindjen e Mesme – dhe të gjithë duan t’i kenë në forcat e veta të armatosura.
Ballkani Perëndimor nuk bën përjashtim nga kjo.








