Ndryshe nga vitet e mëparshme, Prokuroria për Krime Lufte në Serbi ka rritur ndjeshëm numrin e aktakuzave gjatë vitit 2024.
Shumica e tyre janë ngritur ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), ky është rezultat i presionit politik nga autoritetet dhe mediat proqeveritare në Serbi.
Ndonëse Serbia vazhdoi me arrestimin e shtetasve të Kosovës në pikat kufitare edhe në vitin 2024 , shumica e aktakuzave janë ngritur ndaj personave që nuk janë të arritshëm për sistemin gjyqësor serb.
Sipas Fondit, në vend të përmirësimit të bashkëpunimit me Kosovën, po vihet në praktikë gjykimi në mungesë.
Viti 2024 u karakterizua, gjithashtu, nga mungesa e bashkëpunimit me vendet fqinje, zvarritja e gjykimeve për krimet e luftës të viteve ’90, dënimet joproporcionale për të dënuarit, si dhe mosndjekja penale e pjesëtarëve të lartë të forcave serbe.
Përgjatë këtij viti vazhdoi glorifikimi publik i kriminelëve të dënuar të luftës dhe u lansua një fushatë shtetërore për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.REL.








