Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nesër do të vizitojë Kosovën në kuadër të turneut të saj në Ballkanin Perëndimor. Kjo është bërë e ditur nga zyra e BE-së në Kosovë.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, presidentja Von der Leyen do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Në Presidencë, Von der Leyen pritet të jetë në orën 09:00 të paradites derisa bashkë në orën 10:05 pritet t’u adresohen mediave.
Ndërkohë nga ora 10 e 30 presidentja e KE-së do të jetë në zyrën kryeministrore për takim me shefin qeveritar, Albin Kurti.
Pas takimit, bashkë me kryeministrin Albin Kurti e dy ministret Artane Rizvanolli të Ekonomisë e Arbërie Nagavci të Arsimit do të vizitojë projektin e financuar nga BE-ja për efiçiencën e energjisë.








