Presidenti i Sërbisë Alleksandar Vuçiq, gjatë një emisioni në mediumin publik, ka paralajmëruar pagesën prej 20,000 dinarëve për të gjithë pensionistët në shkurt, më së voni në fillim të marsit të vitit të ardhshëm. Ai vuri në dukje se nuk do të nevojiten aplikime të veçanta për ato para.
“Ne duam t’u paguajmë pensionistëve, sepse ata e kanë kuptuar gjithmonë gjendjen e shtetit,” u shpreh Vuçiq.
Duke folur për ndihmën e paralajmëruar qytetarëve deri më tani, Presidenti njoftoi se pensionistët do të paguhen nga 50 euro secili nga 20 deri më 22 shtator, dhe të gjithë qytetarët do të marrin 30 euro në mes të nëntorit.
Në prag të festës, mes 13 dhe 15 dhjetorit, të gjithë qytetarëve të rritur do t’u paguhen edhe 20 euro të tjera.
Ai vuri në dukje se në fillim të vitit të ardhshëm, do të pasojë një rritje e re e pensioneve, mbi pesë përqind. Ai gjithashtu njoftoi një rritje të pagës minimale.
“Ideja jonë është që paga minimale të jetë 35.012 dinarë, më shumë se 300 euro,” ka thënë Vuçiq.
Ai pret që paga mesatare në fillim të vitit të ardhshëm të jetë 613 euro.








