Vetëm edhe dy ditë nga masat e dhunshme në KKSh. A do të kemi një marrëveshje?

0
359

Të premtën më 13 janarë skadon afati për arritjen e një koalicioni qeverisës për KKSh dhe emërtimin në postet udhëheqëse, megjithatë akoma nuk kemi një sinjal të fortë se kjo do të ndodhë,  

Qëndrimet e tri subjekteve politike shqiptarë në Luginë të Preshevës rreth formimit të një koalicioni qeverisës për KKSh tashmë i kemi të shprehura nëpërmjet komunikatave. PVD-5 mandate, LPD-2 mandate dhe PD-2 mandate, kanë paraqitur qëndrimet e tyre, ndërsa publikisht nuk janë deklauar APN me 5 mandate dhe PDSH me 1 mandat.

Megjithate edhe në deklarimet e PVD-së, LPD-së dhe PD-së kemi një pasqyrë pothuajse deri diku të qartë, se PVD nuk e ka mbështetjen e LPD-së për të udhëhequr me KKSh-në, ndërsa qëndrimi i APN-së për një bashkëqeverisje me PVD-në duket se është i pamundur.

Kalkulimi i vetëm i PVD-së mbetet me PD-në dhe PDSH-në për ti arritur 8 mandate, megjithatë PDSH edhe pse jo zyrtarisht, flitet se brenda këtij subjekti politik nuk ka një harmoni për ti mundësuar PVD-së që ta formojë shumicën në KKSh. Nga ana tjetër PD sic edhe kuptohet në komunikatë nuk do të pengojë asnjë proces demokratik në të mirë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve nuk PD ka deklaruar “ne jemi për vazhdimin e partneritetit të krijuar mes partive shqiptare, duke filluar nga marrëveshja e nënshkruar në selinë e PD-së në Bujanoc më datë 17.07.2020 për formimin e koalicionit për pushtet lokal, e që e vazhduam edhe me koalicionin për zgjedhjet parlamentare të këtij viti”.

Ndërkohë kemi edhe reagimin e përbashkët të tri subjekteve politike PD, LPD dhe PDSH rreth ndarjes së mjeteve nga Qeveria e Kosovës përmes KKSh-së, për të cilin tashmë reagime të ashpërta ka patur edhe nga APN dhe LR.

Bazuar në të gjitha këto reagime, ndaras apo të përbashkëta, subjekti i vetëm që nuk ka qenë në një vijë me subjektet tjera politike shqiptare në Luginë të Preshevës është PVD.

KOMUNIKATA E PVD-së: PVD nuk bën kompromis për shkeljen e parimeve demokratike

Partia për Veprim Demokratik, si fituese e zgjedhjeve të Këshillit Kombëtar Shqiptar të mbajtura me 13 Nëntor të vitit 2022, për më shumë se një muaj e gjysëm me radhë ka bërë përpjekje për formimin e shumicës së re për udhëheqjen e këtij institucioni të rëndësishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Prioritet i Partisë për Veprim Demokratik gjatë bisedimeve, përveç që ka qenë ruajtja e parimit bazë të demokracisë, ajo e fituesit të zgjedhjeve, ka qenë edhe koordinimi dhe ruajtja e partneriteteve të ndërtuara lokale e të cilat, për themel të vetin kanë koordinimin e politikave me Prishtinën dhe Tiranën.

Në këtë aspekt, PVD, për partner të mundshëm gjatë këtij procesi ka përzgjedhur partitë me të cilat vazhdimisht ka ndërtuar partneritete.

Prandaj, për më shumë se një muaj e gjysëm kemi biseduar me Lëvizjen e Progresit Demokratik, Partinë Demokratike dhe Partinë Demokratike Shqiptare dhe kemi tentuar të arrijmë marrëveshje politike për të udhëhequr me Këshillin Kombëtarë.

Fatkeqësisht, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, e për shkak se partnerët potencial kanë refuzuar të njohin parimin e fituesit të zgjedhjeve, as sot, mbi 50 ditë përpjekje, nuk është ndërtuar një shumicë e re.

Lëvizja e Progresit Demokratik, me 2 mandate, përtej rezultateve të zgjedhjeve, ka insistuar dhe insiston që pozita e Kryetarit të Këshillit Kombëtar t’i takojë atyre ndërsa Partia Demokratike, edhe pse deklarativisht nuk e ka kontestuar parimin e fituesit të zgjedhjeve, ka hezituar që për kryetar ta mbështesë kandidatin fitues.

Në këtë situatë, 9 ditë para skadimit të afatit ligjorë për zgjedhjen e udhëheqësisë së re, Partia për Veprim Demokratik në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm merr Vendim:

• Partia për Veprim Demokratik, si fituese e zgjedhjeve të 13 Nëntorit, për shkak të jogadishmërisë të partive partnere për ta pranuar parimin e fituesit të zgjedhjeve si bartës të ardhshëm të këtij institucioni, deklaron se nuk ka arritur të ndërtojë shumicën e domosdoshme për qeverisjen e re të KKSH-së.

• Prandaj, PVD, duke mos dashur që të mbajë peng procesin e krijimit të shumicës së re në KKSH fton partitë pjesmarrëse në zgjedhje, që në kuadër të afatit ligjor, të bëjnë përpjekje për formimin e një koalicioni të mundshëm edhe atë pa fituesin e zgjedhjeve, dmth, pa PVD-në.

• Partia për Veprim Demokratik mbetet e përkushtuar dhe deklarohet që është e gatshme të marrë mbi supet e saja udhëheqjen e KKSH-së, vetëm në rast se partnerët potencial pranojnë dhe njohin parimin e fituesit të zgjedhjeve, parim i cili për PVD-në mbetet i panegociueshëm.

• PVD me këtë rast konsideron dhe shprehë brengosjen se instalimi i masave të dhunshme eventuale në udhëheqjen e KKSH do të sjellë kaos politik në Luginë në përgjithësi e në Bujanoc në veçanti dhe gjithë kjo si pasojë e kontestimit të parimit të fituesit të zgjedhjeve.

Partia për Veprim Demokratik

Shaip Kamberi- kryetar

KOMUNIKATA E LPD-së: Deklaratë rreth koalicionit për udhëheqjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar

Në mbledhjen e mbajtur sot të Kryesisë qëndrore të LPD-së, njoftojmë opinionin e gjerë me këtë deklaratë:

Lëvizja e Progresit Demokratik, duke parë aktivitetin e saj në të kaluarën por edhe projeksionet politike për të ardhmen, pikërisht për institucionin më të lartë e përfaqësues që është Këshilli Kombëtar Shqiptar, ka qëndrim konstruktiv, që është i ditur tashmë edhe publikisht.

Zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptarë të 13 nëntorit nuk i dhanë shumicë absolute asnjërës parti politike për udhëheqjen e KKSh-së.

Duke marrë për bazë këtë por edhe praktikat demokratike politike që janë zhvilluar në vend por edhe në rajon, qëndrimi i LPD-së ka qenë për rikthimin e KKSh-së në frymën që ka lënë ish lideri Jonuz Musliu në 2018-tën, në zhvillimin e demokracisë, kauzat kombëtare shqiptare si dhe për të parandaluar keqmenaxhimin dhe keqpërdorimet që janë duke u bërë në emër të KKSh-së. Dhe zhvillimet e fundit na japin të drejtë në qëndrimin tonë se KKSh-ja ka nevojë për një udhëheqës të ri.

Që nga shpallja e rezultateve preliminare e deri më sot, kemi patur vetëm tre takime zyrtare me PVD-në, PD-në dhe PDSh-në për mundësinë e arritjes së një marrëveshje për një koalicion i cili do të ndërtonte udhëheqjen e re të KKSh-së, që fatkeqësisht epilogu i gjithë kësaj deri më sot është pa marrëveshje.

Gjithashtu i kemi njoftuar se në këtë proces por edhe në procese tjera të ardhshme, LPD-ja nuk do të jetë bllokuese ashtu sikur që nuk ka qenë bllokuese në të gjitha proceset politike që nga paslufta e deri në Koalicionin e Tiranës në 2020-tën, duke patur në konsideratë gjithmonë të mirën e përgjithshme të shqiptarëve.

Në KKSh nga 15 anëtarët që ka Kuvendi, të gjithë janë shqiptarë dhe gara është mes shqiptarëve. Si LPD kemi dy mandate, ndërsa janë edhe 13 mandate tjera të subjekteve tjera politike që mund të formojnë shumicën absolute. Dhe për ne është e papranueshme tendenca që mospajtimet për KKSh-në të reflektojnë në procese tjera politike e sidomos në Komunë të Bujanocit, ku qëndrimi jonë për koalicionin e Bujanocit do të jetë i palëkundur deri në ditën e fundit.

Prandaj edhe në këtë deklaratë theksojmë se LPD-ja në procesin e mandatit të ri për Këshillin Kombëtar Shqiptar ka vetëm dy rrugë, ofertën tonë politike për udhëheqjen e KKSh-së ose opozitën në këtë institucion.

Nga Kryesia qëndrore e LPD-së, Shqiprim Musliu – Kryetar

KOMUNIKATA E PD-së: KOMUNIKATË E PARTISË DEMOKRATIKE RRETH FORMIMIT TË KOALICIONIT PËR KËSHILLIN KOMBËTAR SHQIPTAR

Partia Demokratike njofton anëtarsinë e saj dhe opinionin e gjërë se duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar të mbajtura më 13 Nëntor 2022, ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve.

Gjatë tri takimeve konsultative që kemi zhvilluar me PVD-në, LPD-në dhe PDSh-në, me ftesë të PVD-së, kemi ripërsëritur qëndrimin tonë se ne jemi për vazhdimin e partneritetit të krijuar mes partive shqiptare, duke filluar nga marrëveshja e nënshkruar në selinë e PD-së në Bujanoc më datë 17.07.2020 për formimin e koalicionit për pushtet lokal, e që e vazhduam edhe me koalicionin për zgjedhjet parlamentare të këtij viti.

Partia Demokratike insiston në ruajtjen e këtyre raporteve edhe gjatë udhëheqjes së Këshillit Kombëtar Shqiptar. Ne nuk kemi këmbëngulur për asnjë funksion në përbërjen e re të KKSh-së, duke i hapur mundësinë fituesit që të ketë më të lehtë formimin e koalicionit. Por, kushti i vetëm i joni është që të vazhdojë uniteti i partive politike shqiptare në Luginë, e me theks të veçantë në Bujanoc.

Prandaj, kërkojmë që partitë tjera të cilat tanimë veçse janë deklaruar rreth situatës së krijuar për formimin e koalicionit për KKSh, të rishqyrtojnë edhe një herë vendimet e tyre dhe të gjejnë zgjidhje deri në afatet e caktuara ligjore, me qëllim të formimit të koalicionit në të mirë të shqiptarëve në Luginë në përgjithësi, e në veçanti të shqiptarëve në Bujanoc.

Bujanoc, 10 Janar 2023