Ushtria serbe vendosi artileri afër Jarinjës

0
308

Ushtria serbe sot ka stacionuar disa topa me rreze të gjatë në zonën e sigurisë tokësore, afër vendkalimit administrativ Jarinje, transmeton Nova.rs.

Vendosja e artilerisë pasoi pasi Milan Mojsiloviq, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, ka shkuar mbrëmë me urgjencë në Rashkë.

“Detyrat që i janë dhënë Forcave të Armatosura të Serbisë dhe mua si shef do të zbatohen plotësisht dhe do të realizohen si të tilla. Situata më poshtë është e komplikuar, komplekse, kërkon praninë e Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë vijës administrative dhe në periudhat e ardhshme Forcat e Armatosura të Serbisë, si prag paqeje dhe stabiliteti, do të drejtohen drejt ekzekutimit. Ne i kemi të gjitha informacionet në detaje. Duhet ta dini se masat e marra dhe detyrat e marra do të përmbushen plotësisht”, tha Mojsiloviq për Pink.

Mediat proqeveritare në Beograd kanë raportuar mbrëmë se në Zubina Potok është dëgjuar një zjarr, ndërsa disa kanë thënë se ka pasur shkëmbim zjarri mes serbëve vendas dhe policisë së Kosovës. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka pasur incidente mes pjesëtarëve të saj dhe asnjë grupi në veri të Kosovës.

Përfaqësuesit e KFOR-it, në përgjigje të hetimit të Koha Ditorës, kanë bërë të ditur se në Zubina Potok ka pasur të shtëna, por se në atë incident nuk ka të lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.