TK: KËSHILLI KOMBËTAR I PAKICËS KOMBËTARE SHQIPTARE PAMUNDËSOI REALIZIMIN E NJË PROJEKTI ME VLERË 800.000 DINARË

0
364

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq, i ka dërguar katër herë ftesë kryetarit të Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare, Enkel Rexhepi, për nënshkrimin e kontratës që ka të bëjë me financimin e projektit për botimin e revistës “Nacionali”.

Takimi i fundit ishte caktuar për datën 28 tetor 2025 në Bujanoc. Enkel Rexhepi nuk iu përgjigj asnjëherë ftesave, as nuk reagoi ndaj propozimit të Shërbimit të Trupit Koordinues për t’u organizuar transporti drejt Beogradit me qëllim nënshkrimin e kontratës.

Për këtë projekt, në buxhetin e Trupit Koordinues për vitin 2025 ishin paraparë 800.000 dinarë, por meqë kontrata nuk u nënshkrua, mjetet do të kthehen në buxhetin e Republikës së Serbisë.

Republika e Serbisë dhe Trupi Koordinues mbeten të përkushtuar në përmirësimin e pozitës së anëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare, si dhe në mbështetjen e projekteve që kontribuojnë në ruajtjen e identitetit kulturor, gjuhësor dhe informativ. Megjithatë, për realizimin e këtyre aktiviteteve është i domosdoshëm minimumi i vullnetit të mirë dhe përgjegjësisë nga përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare.

Trupi Koordinues thekson se mungesa e bashkëpunimit nga ana e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare pengon drejtpërdrejt zbatimin e këtyre aktiviteteve, ndërsa përgjegjësia për ngecjen në realizimin e projektit bie ekskluzivisht mbi këtë Këshill, duke shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë për qytetarët e Republikës së Serbisë me kombësi shqiptare.

Trupi Koordinues fton Këshillin Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare në dialog dhe bashkëpunim, me qëllim përmirësimin e kushteve për bashkëjetesë të përbashkët të të gjithë qytetarëve që jetojnë në territorin e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Burimi: Shërbimi i Trupit Koordinues.