PAJAZITIT I VIJNË AMERIKANËT NË ZYRË

0
66

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka pritur sot në një takim zyrtar përfaqësuese të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi.

Siç njofton vetë Pajaziti, në zyrën e tij është zhvilluar një takim pune me znj. Erin Kotheimer, Këshilltare për Çështje Publike në Ambasadën e SHBA-së në Beograd. Takimi u mbajt në frymën e bashkëpunimit institucional dhe dialogut demokratik, me fokus të veçantë çështjet me rëndësi për Komunën e Bujanocit dhe pozitën e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.

Gjatë bashkëbisedimit, vëmendje e posaçme iu kushtua Planit 7-pikësh të miratuar nga Qeveria e Republikës së Serbisë, i cili përbën kornizën institucionale për avancimin e të drejtave dhe integrimin e shqiptarëve. U diskutua niveli aktual i zbatimit të këtij plani, sfidat e vazhdueshme dhe nevoja për një përkushtim më të madh institucional në realizimin e tij të plotë.

Në takim u trajtuan edhe çështje konkrete që vazhdojnë të mbeten problematike, si integrimi i shqiptarëve në institucionet publike, mosnjohja e diplomave të fituara në Kosovë, si dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin dhe stabilitetin lokal.

Po ashtu, u theksua rëndësia e programeve për të rinjtë, mbështetja për arsimin, punësimin dhe ndërmarrësinë, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Kryetari Pajaziti nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për proceset demokratike, sundimin e ligjit dhe zhvillimin institucional në rajon, duke shprehur gatishmërinë e Komunës së Bujanocit për të ndërtuar dhe thelluar partneritete konkrete me Ambasadën e SHBA-së dhe organizata të tjera amerikane.

Sipas tij, takime të tilla janë dëshmi e rëndësisë së dialogut institucional dhe angazhimit ndërkombëtar për avancimin e proceseve demokratike dhe integruese në Komunën e Bujanocit dhe në Luginën e Preshevës.