Nexhib (Xhemail) Nevzadi – aga Xhibi (1932- 2004) elektricist.

0
1812

Lindi në Tërrnoc në vitin 1932. Ishte i familjes së Çorovinëve, i një familjeje të respektuar dhe të nderuar, mikpritëse e bujare të Tërrnocit.
Vlen të theksohet që babai i agës Nexhib ishte Xhemë Çorovinja që njihej në popull në kohën e okupimit bullgar me këngën e Xhemë Çorovinjës, (kur me urdhër të hoxhës hip në minare të tubojë popullin.

Kështu bullgarët kishin dhënë urdhër t’i merrnin të rinjtë si rob të luftës për t’i dërguar në Bullgari, në Simitli. Njëkohësisht në popullatën e Tërrnocit, aga Xhemë Çorovinja njihet edhe si zbulues i farës së llojit të duhanit, si “Fara e Xhemit” e që banorët e kanë kultivuar si lloji më kualitativ i duhanit).
Përndryshe, aga Xhibi shkollën fillore katërvjeçare e kreu në gjuhën shqipe në vendlindje, por me alfabet qirilik, e mësues të parë kishte Avni Memetin-Çorovina.
Më pas kreu edhe tetëvjeçaren privatisht.

Në rininë e tij, aga Xhibi tregoi interesim të veçantë, duke ndihmuar familjen në kultivimin e duhanit, e njëkohësisht tregoi edhe zgjuarësi në mësimin e zanatit të elektricistit te ndër mjeshtrit e parë elektricistë, te Nijazi Fetahu -Leska.

Punoi disa vite me të derisa e zotëron mirë këtë punë dhe më vonë pavarësohet.
Viteve 60-ta fillon të punojë aktivisht në instalimet e rrymës në Tërrnoc si dhe në fshatrat përreth, si në Turi, Lluçan, Nesalcë, Bilaç, Letovicë.

Djali i tij, Ramadani rrëfen për një ngjarje të pazakontë që i kish ndodhur në Letovicë te familja e akademik Hevzi Islamit. Hevzi Islami aso kohe ishte gjimnazist dhe e pyet agën xhibi:
“Nëse të kap rryma si duhet reaguar për të shpëtuar?
Mjeshtri ia kthen:
“Duhet të hiqet sigurea”.
Në atë moment mjeshtrin Nexhib e zë rryma dhe Hevziu reagon shpejt te siguresa dhe kështu ia shpëton jetën.
Atë ditë më nuk punoi për t’ia filluar të nesërmen.
Më pas, Nexhib Nevzadi inkuadrohet në punë në Ndërmarrjen Shtetërore “Morava” nga Vranja.

Aso kohe ndodhë tërmeti në Shkup, kështu që aga Nexhib shkon në Shkup përmes kësaj ndërmarrjeje për të instaluar rrymën elektrike nëpër ndërtesat e ngritura pas tërmetit të Shkupit.

Në vitin 1968 punësohet në Kooperativën Bujqësore në Bujanoc, kur drejtor ishte Ekrem Hiseni (Gashi).
Aty punoi si kompresorist në ftohjen e mishit të therrtores, reparti në Tërrnoc.
Kah vitet e shtatëdhjeta kryen edhe shkollën e mesme në gjuhën serbe “ShUP”.

Më vonë, ka punuar në “Venac” të Novi Sadit, për të kaluar te “Juhor” nga Svetozareva dhe së fundi kaloi në “Jugocop” në një godinë të re në Bujanoc. Krahas punës shtetërore, aga Xhibi kontribuoi shumë edhe në instalimin e rrymës elektrike nëpër shtëpitë e popullatës të kësaj ane. Nuk kurseu mundin dhe kohën për t’i dalë në ndihmë edhe skamnorëve për t’i shërbyer falas.
Aga Xhibi pensionohet në moshën 60 vjeçare. Vdes në vitin 2004 .
Pas lë pesë.
Djalin Ramadanin (Profesor i Shkencave Matematiko- Natyrore dega Biologji, i cili rrëfeu këtë biografi që më pas e përgatiti Xheladin Mustafa) si dhe Adnanin e Vaxhidin me punë në Perëndim dhe dy vajza.

Në foto 1 dhe 2 aga Xhibi
Në foto 3: aga Xhibi me djalin e tij, Ramadanin si fëmijë.

Autori:Neha Salihu