LINI – FSHATI I UNESCO-s I LËNË PASDORE

0
947

Nga Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXCIX)

Duke zbritur rrugës nga Qafë Thana drejt Poradecit, bie në sy dhe zgjon kureshtjen e çdo udhëtari një fshat piktoresk me bukuri të rralla, që rri si një pikturë e madhe mes kodrës së Shën Thanasit dhe Liqenit të Ohrit. Është ky Lini, fshati me pamje të bukur e me emër të shkurtër, me shtëpi të vogla e i strukur poshtë shkëmbinjve, që shtrihet në një gadishull të vogël në brigjet perëndimore të Liqenit katër milionë-vjeçar. Fshati Lin, me rreth 150 shtëpi e 1200 banorë, ndodhet 20 km nga Poradeci dhe vetëm 6 km nga Qafa e Thanës, kurse 2 km është larg rrugës kombëtare Elbasan – Poradec.
Në fund të viteve 60-ta shekullit të kaluar buzë liqenit dhe afër Linit është zbuluar një lokalitet arkeologjik. Aty janë gjetur vegla guri të periudhës së bakrit, dalta, sëpata, çekanë, etj. Në periudhën e hekurit ky vendbanim është braktisur dhe është mbuluar nga liqeni, kurse banorët janë vendosur në kodrën “Shën Thanasi” sipër Linit, aty ku sot gjenden rrënojat e një bazilike paleokristiane.
Mbi kodrën shkëmbore të këtij gadishulli para 3000 vjetëve ka ekzistuar një qytezë e dasaretëve ilirë, emri i të cilës nuk është zbuluar. Jeta në gadishull ka filluar qysh në periudhën e parë të epokës së hekurit e ka zgjatur deri në mesjetën e hershme. Por, gojëdhënat thonë se Lini dikur ka qenë i shtrirë deri në mesin e liqenit. Gjithashtu, legjenda thotë se ushtarët romakë të Jul Çezarit kur kanë mbërri në kodrën e Linit para 2000 vjetëve, të mahnitur me bukuritë që kanë parë, kanë bërtitur “Lyhnidas”, që do të thotë “Liqeni i dritës”. Kurse sot në këtë kodër vijnë turistët dhe bërtasin: Mrekulli!
Lini qëndron në një gadishull të vogël në brigjet e liqenit dhe në rrëzë të kodrës, si një fshat turistik, i pasur edhe me monumente të veçanta të trashëgimisë kulturore, siç janë rrënojat e kishës apo bazilikës paleokristiane të shek. VI, e ndërtuar në kohën e perandorit Justinian. Rrënojat e kishës janë zbuluar në vitin 1967 dhe janë shpallur monument kulture në vitin 1973. Kjo bazilikë është e zbukuruar me mozaikët e veçantë nga shek. IV – V, që paraqesin figura të peshqve, të zogjve etj. Bazilika dhe mozaikët, të ndodhura në kodrën sipër fshatit, pos monumente, janë edhe pika të rëndësishme turistike. Në Lin ndodhen edhe tetë kisha tjera dhe një xhami, nga të cilat dallohet “kisha bunker” me kupolë të betonuar në formë bunkeri. Veç këtyre monumenteve, në jug të Linit, në thellësi të liqenit 2 deri 3 metra ndodhen gjurmët e disa palafiteve (shtëpi mbi ujë), të cilat dëshmojnë për një vendbanim liqenor, i ndërtuar në hershmëri në sipërfaqen e liqenit. Për vlerat që ka, Lini dhe gadishulli i Linit është shpallur trashëgimi botërore në listën e UNESCO-s si pjesë e tërësishme e Liqenit të Ohrit.
Popullsia e Linit merret me peshkim, por që s’ka treg, me bujqësi e blegtori të pakët, me pak turizëm dhe me disa punime artizanale. Lini është i njohur veçanërisht për prodhimin e një lloji të qepës së ëmbël, që është e veçantë në tërë Shqipërinë. Fshati është në ujë, por ujë s’ka për ujitje. Pompat janë prishur e tokat, për mungesë të ujit, mbesin djerrë. Shumë banorë po i kthejnë shtëpitë e tyre në bujtina për turistët. Linasit vazhdojnë ta kultivojnë traditën e punimit të qilimave, të qëndisjeve, të gdhendjeve në dru, të gatimeve tradicionale, veçanërisht të gatimit të peshkut e të rosave të egra. Lini e ka një qendër për rritjen e peshkut koran, që kultivon rasat të këtij peshku për t’i lëshuar në liqen. Para dyerve të shumë shtëpive shihen prodhime bujqësore e blegtorale, të nxjerra për t’i shitur me çmime të lira. Prandaj, Linit i duhet një treg i posaçëm për tregtimin e prodhimeve bujqësore, të peshkut etj.
Pavarësisht bukurive që ka fshati Lin, në të kanë munguar investimet dhe nuk është bërë publikimi i mjaftueshëm i natyrës së saj të mrekullueshme. Për mungesë të investimeve turistët nuk qëndrojnë në fshat, ata kryesisht janë ditorë. Turistët, pasi ta shikojnë fshatin dhe t’i shijojnë ushqimet e zonës, largohen. Para së gjithash, duhet ndërtuar rrugët e fshatit, të rregullohet rrjeti i ujësjellësit e kanalizimit dhe të përmirësohen plazhet me standarde bashkëkohore. Problemi më i madh në Lin është ndotja e fshatit, për shkak se shumë familje mbajnë bagëti, kurse edhe ujërat e zeza derdhen në liqen e mbeturinat hedhen vend e pa vend.
Çka i brengos më së shumti banorët e Linit është largimi i të rinjve nga fshati. Në fshat sheh të moshuar dhe pak fëmijë, por shumë më pak sheh të rinj. “I rrisim fëmijët dhe ia dërgojmë botës”, është shprehur një nënë për fëmijët e saj që ka nëpër botë. Edhe varfëria është mjaft e pranishme në këtë fshat të bukur turistik, ku ende nuk ka kulmuar turizmi i shumëpritur.
Për pozitën gjeografike që ka, për monumentet kulturore e historike, për mikpritjen bujare dhe për gatimet tradicionale, Lini zë vend në krye të vendeve turistike të Shqipërisë. Pos bukurive të mahnitshme natyrore e të monumenteve të veçanta kulturore e historike, fshati ka edhe plazhe me rërë e me ujë të pastër. Janë karakteristike edhe shtëpitë e vogla, të ndërtuara pranë njëra – tjetrës në rripin e ngushtë mes liqenit e kodrës, si dhe rrugët e ngushta e të shtrembëta, të shtruara me kalldrëm e me gurë, të cilat përshkojnë për së gjati tërë fshatin.
Banorët e Linit kërkojnë dhe shpresojnë se shteti do të përkujdeset edhe për fshatin e tyre, për ta kthyer siç ishte dikur, të bukur e të pastër, për t’i përmirësuar kushtet për jetë dhe për ta rritur numrin e turistëve në fshat. Këtë gjendje do ta ndryshojë, padyshim, projekti kombëtar i “100 fshatrave të Shqipërisë”, i cili pritet shpejt të realizohet së shpejti.
Lini, pra, është një perlë natyrore që nuk e kemi shfrytëzuar ende sa e si duhet. Turisti apo edhe vizitori kureshtar, kur të hyn në fshat, duhet t’i vizitojë bazilikën me mozaikët e saj, pastaj mund të bëjë lundrim me barkë në liqen, mund edhe ta përshkojë fshatin mes përmes këmbë, dhe, në fund, ta shijojë një drekë apo një darkë me koran apo me troftë në njërin nga restorantet e peshkut. Gjithashtu, mund të blejë diçka nga artizanati, të blejë peshq apo prodhime të lira bujqësore të fshatit, sidomos ta blejë qepën e njohur të Linit. Qëndrimi në këtë fshat, sado i shkurtër të jetë, zgjon ndjesinë e jetës fshatare, në një mjedis interesant pranë liqenit me ajër të pastër e në qetësi të plotë. Liqeni, bazilika, mozaikët, pamjet e mrekullueshme, ndërthurja e mrekullueshme e liqenit, e fshatit dhe e kodrës e bëjnë Linin nga fshatrat më të bukur të Shqipërisë, edhe pse ende nuk është përfshirë sa duhet në guidat turistike. Pozita dhe pamjet mbresëlënëse janë bërë motiv i pashmangshëm për piktorë e fotografë profesionistë, ndaj Linit i duhet një atelie për artistët figurativë.
Dhe, krejt në fund, nuk mundemi pa e përmendur një projekt madhor, i ndërtuar viteve të fundit, që i shërben shumë Linit dhe turizmit në Lin, shëtitores 14-kilometërshe që përshkon bregun e liqenit, që nga Lini e deri në Poradec.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here