Një foto e vitit të largët 1983 në fshatin Zarbicë, ku shihet Lazim Sejdiu me qetë (kijet) e tij në zgjedhë. Kishte vendos kaun e bardhë dhe atë të zi t’i çoj për t’i shitur diku në pazar.
Derisa te romani i Kadaresë “Prilli i thyer”, kau i zi s’shitej dhe s’shitej dot dhe sikur ruhej për një mort (vdekje).
Në anën tjetër në Malësinë tonë, siç tregonte baba ende pa mbërri mirë në pazarin e Vllasës, ishte rrethuar nga tregtarët e ndryshëm të cilët vraponin kush e kush më parë për t’i blerë kijet.
Ishte e natyrshme që kafshë të tilla shiteshin shpejt, kur dihet që ekonomia familjare varej shumë nga to; për lavrimin e tokës-arave, bartjen e sanës, druve e gjërave të tjera shtëpiake që bëhej pikërisht me kije.
Ishin vitet e asaj pranvere të largët kur jeta ende gëlonte në Zarbicë.
Pamje si kjo mbesin të ngrira brenda kornizës së një fotoje, kurse vitet e jetës tonë ikin aq shpejt saqë kur kthejmë kokën prapa për të shikuar, na duken thjeshtë numra të një kalendari të vjetër.
Foto dhe shkrimi nga Nexhmedin Sejdiu








