KOSOVA SANKSIONON INDIVIDË DHE ENTITETE BJELLORUSE

0
183

Qeveria e Kosovës ka sanksionuar 183 individë dhe 26 entitete të Bjellorusisë, që janë të lidhur me regjimin e udhëheqësit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

Në mbledhjen e ekzekutivit të mbajtur të mërkurën, u tha se Kosova do të zbatojë sanksionet e vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, këto sanksione kanë të bëjnë me ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës, ndalimin e udhëtimit dhe ndalimi për individët dhe entitetet në Republikën e Kosovës që të vënë fonde në mënyrë direkte apo indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara.

“Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për zbatimin e sanksioneve të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve të Bjellorusisë që janë të lidhura  me regjimin e presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko. Sanksionet konsistojnë në ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës; ndalimin e udhëtimit për individët e sanksionuar; dhe ndalimi për individët dhe entitetet në Republikën e Kosovës që të vënë fonde në mënyrë direkte apo indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara”, thuhet në njoftim.