Njësitë e ushtrisë së Serbisë janë vënë në gatishmëri të lartë luftarake në garnizonet e Rashkës dhe Novi Pazarit, sepse në këtë mënyrë shteti dëshiron të dërgojë një mesazh të qartë se persekutimi i popullit serb nuk do të ndodhë përsëri, tha sot ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, gjatë një vizite në garnizonet në ato dy qytete, raporton transmetuesi publik serb.
Stefanoviqi vizitoi pjesëtarët e ushtrisë serbe në garnizonet në Novi Pazar dhe Rashkë, ku mori pjesë në një prezantim me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Milan Mojsiloviq, mbi gatishmërinë e pjesëtarëve të ushtrisë për t’iu përgjigjur të gjitha detyrave dhe mbrojtur të gjithë qytetarët serbë.
“Ushtria jonë nuk provokon, por është e gatshme t’i mbrojë njerëzit nëse ndodh ndonjë gjë që rrezikon jetën e tyre. Është e rëndësishme për mua të shoh që këta njerëz janë në disponim të mirë dhe të gatshëm. Pajisjet dhe teknikat që kemi prokuruar janë në duart e duhura të profesionistëve”, tha ministri serb, transmeton Zeri.info.
Stefanoviqi vlerëson se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po bën lëvizje të mëdha në mënyrë që të de-përshkallëzojë situatën aktuale në veri të Kosovës.
Ai gjithashtu komentoi thirrjen e BE-së që “të dy palët” të përmbahen nga provokimet.
Çfarë bëri Beogradi? Çdo provokim ishte nga Prishtina. Dhe çfarë keni mundur të shihni në Jarinje dhe Brnjak. Fatkeqësisht edhe ngjarja e fundit, rrahja e serbëve. Gjithçka që po ndodh tregon se sa i drejtë ishte presidenti kur tha se do të ndodhë kjo, se kjo është pjesë e një fushate të organizuar”, tha më tej ai.
Stefanoviqi shton se ai pret një reagim nga BE-ja dhe KFOR-i, por që aktualisht gjëja më e rëndësishme, sipas tij, është mbrojtja e jetës së serbëve.
“Më vjen mirë që presidenti po udhëheq një fushatë aktive në të cilën ne nuk lejojmë askënd të na shkelë dhe poshtërojë. Më vjen mirë që Serbia sot ka shumë më tepër fuqi sesa në dekadat e mëparshme dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë pa provokuar askënd, por me urdhër të Presidentit, të jemi gati për të mbrojtur njerëzit tanë”, përfundoi Stefanoviqi. /Zëri








