FATON BISLIMI, URA E LUGINËS ME UASHINGTONIN: TASH, DY ZËRA TË FUQISHËM AMERIKANË E DUAN PRESIDENT TË KOSOVËS

0
189

William Walker dhe ish-kongresmeni Joseph DioGuardi propozojnë Faton Bislimin për President të Kosovës – ndërsa për shqiptarët e Luginës, ai është një nga njerëzit që ua ka hapur dyert e Uashingtonit dhe ua ka çuar zërin te institucionet amerikane.

Në një zhvillim që ka marrë jehonë të madhe në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare, dy figura të njohura amerikane për angazhimin e tyre në çështjen shqiptare, William Walker dhe ish-kongresmeni Joseph DioGuardi, kanë propozuar Faton Bislimin për President të Kosovës.

Por për shqiptarët e Luginës së Preshevës, emri i Faton Bislimit nuk është thjesht një emër i rikthyer në debatin për Presidencën e Kosovës. Ai lidhet edhe me një periudhë të gjatë të angazhimit për ta bërë zërin e Luginës të dëgjohet në Shtetet e Bashkuara.

Njeriu që ua hapi dyert e Uashingtonit delegacioneve të Luginës

Për vite me radhë, Bislimi ka qenë i angazhuar në qarqet shqiptaro-amerikane dhe në promovimin e çështjeve shqiptare në SHBA. Bashkëpunimi i tij me Joseph DioGuardin dhe Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka qenë i dokumentuar prej vitesh.

Një shembull konkret është viti 2015, kur Faton Bislimi ishte pjesë e delegacionit të Luginës së Preshevës që shkoi në Washington, ku përfaqësuesit e Preshevës dhe Bujanocit paraqitën shqetësimet e tyre para anëtarëve të Kongresit amerikan, Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Departamentit amerikan të Shtetit.

Ky angazhim e ka bërë Bislimin një prej njerëzve që ka ndihmuar në krijimin e urave mes përfaqësuesve të Luginës dhe institucioneve amerikane.

Pra, zëri i Luginës nuk ka mbetur vetëm në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë – ai është dëgjuar edhe në Washington.

Nga Lugina te Capitol Hill

Për shqiptarët e Luginës, kjo është arsyeja pse propozimi i Walkerit dhe DioGuardit për Bislimin merr një dimension tjetër.

Ai nuk është vetëm një kandidat që sot po diskutohet për një nga postet më të larta të Kosovës. Është një figurë që, përmes lidhjeve dhe angazhimit të tij në SHBA, ka kontribuar që problemet, diskriminimi dhe kërkesat e shqiptarëve të Luginës të paraqiten drejtpërdrejt para vendimmarrësve amerikanë.

Dhe pikërisht për këtë arsye, mund të shtrohet një pyetje e fortë:

A nuk duhet që edhe Lugina e Preshevës ta mbështesë një njeri që për vite me radhë ka ndihmuar që zëri i saj të arrijë deri në Washington?

Dy miq të vjetër të Kosovës, një emër për Presidencën

William Walker e ka propozuar Bislimin si kandidat për President, duke vlerësuar përvojën, formimin dhe aftësitë e tij.

Një ditë më vonë, edhe Joseph DioGuardi i është drejtuar liderëve politikë të Kosovës me të njëjtin propozim, duke kërkuar që emri i Bislimit të shqyrtohet mbi bazën e meritave dhe jo të interesave apo preferencave politike.

Kështu, dy emra amerikanë me një histori të gjatë në mbështetje të Kosovës kanë vendosur ta vendosin Faton Bislimin në qendër të debatit për Presidentin e ardhshëm të Kosovës.

Për Luginën, kjo nuk është vetëm një garë për një post në Prishtinë.

Është edhe një moment për të kujtuar se kush ka qenë pranë saj, kush ka hapur dyer në Washington dhe kush ka ndihmuar që zëri i shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës të dëgjohet atje ku merren vendime.

Dhe nëse Walker dhe DioGuardi e shohin Faton Bislimin si një figurë të denjë për të udhëhequr Kosovën, Lugina ka edhe një arsye të veçantë për ta parë me seriozitet këtë propozim./LajmiAL/