Nga Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CC)

Liqenasi ose Pusteci është një fshat në rrethin e Korçës me rreth 300 shtëpi e 1000 banorë, i cili që nga viti 2015 gëzon statusin e qendrës bashkiake. Bashkia e Liqenasit, e shtrirë në brigjet perëndimore të Liqenit të Prespës, mes liqenit dhe Malit të Thatë, përbëhet nga nëntë fshatra të banuara nga pakica maqedonase; Liqenas, Shulin, Leskë, Zaroshkë, Cerje, Goricë e Madhe, Goricë e Vogël, Diellas dhe Gollomboç. Territori i saj ndodhet në zonën e Liqenit të Prespës, në afërsi të tre kufirit Shqipëri – Maqedoni e Veriut – Greqi, 27 km nga Korça dhe 45 km nga qyteti i Resnjës.
Bashkia e Liqenasit, me rreth 3500 banorë dhe me territor prej 200 km2, është njëra ndër 61 bashkitë e R. së Shqipërisë, më e vogla dhe më e varfra, e formuar nga nëntë fshatra të zonës së Liqenit të Prespës. Statusi i Bashkisë iu njoh sipas reformës territoriale të vitit 2015, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për vetëqeverisje lokale të pakicës së deklaruar si maqedonas në Shqipëri. Në vitin 1973 fshatit, me emrin e deriatëhershëm, Pustec, Kuvendi Popullor i Shqipërisë ia kishte shqipëruar emrin në Liqenas, mirëpo këtë emër nuk e mbajti më shumë se 40 vjet. Në mars të vitit 2013, Kuvendi i Shqipërisë zyrtarisht ia ktheu emrin e vjetër sllav, Pustec! Ironia qëndron se Kuvendi e hoqi fare emërtimin shqip nga përdorimi zyrtar. Edhe pse fshati zyrtarisht e mbanë emrin Pustec, banorët ende vazhdojnë ta quajnë Liqenas. Gjithashtu, emrat i janë ndryshuar edhe shtatë fshatrave tjerë të zonës, duke mos lejuar variantin shqip për përdorim zyrtar: Zaroshkë në Zrnosko, Lajthizë në Leska, Diellas në Shulin, Gollomboç në Glloboçani, Kallamasi në Tuminec, Gorica e Madhe në Gorna Gorica, Gorica e Vogël në Dolna Gorica. Si duket rikthimi i emrave sllavë është “suksesi” dhe “fitorja” e vetme e komunës apo e bashkisë së Liqenasit në 30 vjetët e fundit. Të kujtojmë se në fshatin Gollomboç (Glloboçani) ka lindur shkrimtari i madh shqiptar i etnisë maqedonase, Sterjo Spasse.
Popullsia e zonës së Prespës merret me bujqësi e blegtori, por edhe me peshkim. Viteve të fundit në këtë zonë janë mbjellë dhjetëra hektarë edhe me çaj. Për shkak të pamundësisë për ujitjen e tokave të punës dhe për mungesë të tregut, fitimet nga bujqësia janë të vogla, kurse varfëria e papunësia është në shkallë të lartë. Mbetet të rregullohet edhe njëherë sistemi i ujitjes, në mënyrë që të rritet prodhimi bujqësor. Krahas bujqësisë, blegtorisë e peshkimit, të ardhurat më të mëdha për popullsinë vijnë nga emigracioni. Pjesa më e madhe e rinisë kanë emigruar në shtetet evropiane, kurse një pjesë tjetër punon në Maqedoni në punë ditore apo sezonale. Banorët e zonës së Prespës mbajnë raporte të ngushta tregtare dhe të punës me zonën e Prespës në Republikën e Maqedonisë. Pothuaj të gjithë kanë edhe shtetësi maqedonase, një pjesë e tyre edhe shtetësi bullgare, kurse votojnë në zgjedhjet e Maqedonisë V.
Objekti i vetëm publik në Liqenas është kisha e madhe në qendër të fshatit. Pos riteve fetare, aty zhvillohen edhe festat tradicionale e tubime të ndryshme kulturore e politike. Në oborrin e kishës janë pritur edhe zyrtarë të lartë të dy shteteve, të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore. Në 30 vjetët e fundit nuk ka mbetur kryetar, kryeministër, ministër a ambasador të dy shteteve që nuk e kanë vizituar Liqenasin, duke u premtuar banorëve shumë e duke mos bërë asgjë.
Fshatrave të Bashkisë së Liqenasit u mungon rrjeti i ujësjellësit dhe i kanalizimit. Banorët e Liqenasit dhe të fshatrave tjerë të zonës, edhe pse ndodhen në breg të liqenit, vuajnë për mungesë të ujit të pijshëm apo furnizohen nga liqeni, kur dihet se në liqen derdhen ujërat e përdorura. Problemi tjetër është me mbeturinat, pasi në zonë nuk ka pikë të grumbullimit të tyre dhe fshati, që ka status të një fshati turistik, mbulohet nga mbetjet e ndryshme. Fshatrat e zonës përballet edhe me një rrjet shumë të dobët rrugor. Liqenasi dikur kishte spital, sot ka një qendër shëndetësore me mjekë jo të rregullt, me orar dy a tri herë në javë.
Liqenasi dhe tërë zona e ka simbolin e vet turistik, monumentin unik natyror, ishullin e Maligradit. Ky ishull, monument natyror, historik, kulturor e turistik, shfaqet në sipërfaqen e liqenit si një shkëmb gjigand, me sipërfaqe prej 5 – 6 hektarësh, gjatësi 800 metra dhe gjerësi 200 metra. Ishulli është i mbuluar me bimësi mesdhetare, me fiq, kumbulla e manaferra, kurse sipër tij ndodhen rrënojat e shtëpizës verore të Car Samoilit nga shek. X – XI. Në të gjenden shpella të mëdha dhe, në njërën shpellë ndodhet kisha e Shën Mërisë e shek. XIV e pranë saj edhe një varr eremiti. Në këtë kishë, të cilën e ka ndërtuar fisniku Qesar Novaku në vitin 1369, ka murale me mbishkrime dhe me portretin e familjes Novaku. Kisha dikur ka shërbyer edhe si qendër shpirtërore e familjes së Muzakajve.
(Liqeni i Prespës, me sipërfaqe prej 319 km2, është liqen tektonik në lartësinë më të madhe mbidetare në Ilirik – 853 m. Liqeni ndahet në Prespën e Madhe dhe në Prespën e Vogël dhe i përket tri shteteve; Maqedonisë V. (190 km2), Greqisë (85 km2) dhe Shqipërisë (39 km2). Është një liqen i kaltër, i rrethuar nga kodra të gjelbëruara, me natyrë të qetë e të paprekur, i pasur me florë e faunë, me 1500 lloje bimësh, me 40 lloje gjitarësh, me 11 lloje amfibësh, me 23 lloje peshqish, me 261 lloje zogjsh, duke përfshirë edhe zogun e rrallë, Pelikanin kaçurrel).
Zona e Prespës ka kushte dhe mundësi ideale për zhvillimin e turizmit. Natyra e mrekullueshme, pamjet e bukura panoramike, klima e përshtatshme, shtëpitë e vjetra karakteristike, liqeni me ujë kristal dhe lundrimi me barka, ishulli interesant i Maligradit i mbështjellë me legjenda, kisha e Shën Mërisë, 30 kisha bizantine të zonës, mikpritja bujare dhe ushqimi i pasur janë parakushtet për një turizëm (veror) të zhvilluar. Mirëpo, për zhvillimin e turizmit mungon infrastruktura bazë; plazhet janë të parregulluara, rrugët janë të dobëta, nuk ka objekte hoteliere, ka shumë pak shtretër për turistë, etj. Turistët, që vijnë këndej, qëndrojnë disa orë sa për ta vizituar ishullin e Maligradit dhe kishën e eremitëve dhe ikin. I tërë territori i bashkisë së Liqenasit ndodhet në kuadrin e Parkut Kombëtar të Prespës, kurse fshati Liqenas është pjesë e projektit qeveritar “100 fshatrat e Shqipërisë”. Nga ky projekt pritet të transformohet në tërësi Liqenasi, për t’u shndërruar në një fshat të vërtet turistik. Gjithashtu, edhe projekti tjetër i lidhjes me traget të pjesëve të liqenit të tri shteteve, do ta ngjallë turizmin në këtë zonë.
Vizitori në zonën e Prespës do të mrekullohet me panoramë mahnitëse të fshatrave, me një hapësirë të pastër e të gjelbëruar, me fusha të sistemuara bukur e me kodra të mbuluara me gjelbërim, që shtrihen mes Liqenit të Prespës e Malit të Thatë. Shtëpitë janë të thjeshta, kurse njerëzit bëjnë jetë modeste fshatare, pak apo aspak të ndikuar nga jeta bashkëkohore. Ata punojnë tokën e vet e kujdesen për bagëtinë, duke jetuar kryesisht me prodhimet e veta bujqësore e blegtorale. Territori i Bashkisë së Liqenasit përfshihet në Parkun Kombëtar të Prespës, si zonë e mbrojtur ndërkombëtare “Ramsar”, e zgjedhur nga “Lonely Planet” si njëra nga 20 destinimet turistike evropiane.








