Nga Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXCVIII)

Zall-Dardha, të cilën banorët e thërrasin vetëm Dardha, është një fshat i thellë kodrinor – malor në brigjet e Drinit të Zi, rreth 20 km në veri të Peshkopisë. Ky fshat është qendër e njësisë administrative të nëntë fshatrave, që i përkasin bashkisë dhe rrethit të Dibrës; Zall-Dardha, Lashkiza, Lugjej, Mënesh, Nezhaj, Qanaj, Soricë, Shënllesh, Tartaj. Si fshat, Zall-Dardha ka rreth 600 banorë, kurse si njësi administrative – rreth 2400 banorë. Pas vitit 1990 numri i popullsisë në këtë zonë ka rënie të vazhdueshme si pasojë e emigrimit jashtë vendit dhe i shpërnguljeve nëpër qytete të vendit.
Zall-Dardha shtrihet në një trevë të lashtë, ku dikur ndodhej qyteti Dapatra dhe ku janë zbuluar gjurmë të hershme të lashtësisë. Kjo zonë malore e krahinës së Dibrës njihet si njëra ndër zonat më atdhetare e më kryengritëse, ndaj është ballafaquar me luftëra kundër pushtuesve turq, serbë, etj., por kurrë nuk është nënshtruar. Malësori tipik i kësaj zone, i mbiquajtur “dernjani” (dardhnjani) përshkruhet malësor tipik me vlera të larta trimërie e burrërie, me karakter të fortë, i shkathtë i zgjuarë dhe për punëtor i mirë.
Zona e Zall-Dardhës njihet në histori për një institucion të veçantë popullor, për Kuvendin e “15 burrave të dheut”. Në fakt ky Kuvend, i njohur shkurt vetëm si “Dheu”, ishte mbledhje e kryetarëve apo e përfaqësuesve të 15 fiseve të zonës. Kuvendi “Dheu” zgjidhte probleme të ndryshme të fshatit e të fshatarëve, merrte vendime për mbarëvajtjen e punëve në zonë, caktonte rregulla apo bënte kanunin e vendit, shqiptonte masa, dënime apo gjoba… Vendimi i Kuvendit apo i “Dheut” ishte ligj! Askush nuk guxonte të dilte apo t’i shkilte ato. Kjo traditë pozitive popullore ka ndikuar që në vazhdimësi në Zall-Dardhë të ket tolerancë e të mos ket as sot e kësaj dite armiqësi mes banorëve të zonës. Në kujtim të përhershëm të Kuvendit, në fshat është ngritur obelisku “Kuvendi i Dardhës 1921”. Gjithashtu, në fshat vepron shoqata atdhetare “Kuvendi i Zall-Dardhës”.
Zona e Zall-Dardhës qëndron mbi një reliev kodrinor të gjelbëruar me ajër të pastër, me klimë të përshtatshme për rritjen e prodhimeve bujqësore, me burime të shumta natyrore të ujit, me pyje e kullota të gjera, me Drinin, poshtë fshatit dhe me tokat pjellore rreth tij. Banorët e zonës së Zall-Dardhës tradicionalisht janë marrë me blegtori të imët dhe me bujqësi e pemëtari. Zona është e pasur me burime të ujit, por vetëm 35 për qind e tokës bujqësore është nën ujë. Rreth 40 për qind e familjeve të kësaj zone trajtohen me ndihma sociale, kurse pjesa më e madhe merr ndihma nga mërgimtarët. Banorët e kësaj ane e kanë bërë traditë mbledhjen dhe shitjen e bimëve mjekësore, si sherbelën, kamomilin etj.
Në Njësinë Administrative të Zall-Dardhës ka një shkollë të mesme të përgjithshme dhe nëntë shkolla fillore; tri shkolla 9-vjeçare dhe pesë shkolla të ciklit të ultë. Largësia e përshkuar e nxënësve për t’i vijuar mësimet është shumë e madhe dhe kjo ndikon që një pjesë e tyre të mos e vijojnë shkollën e mesme apo të vazhdojnë në universitete. Nga shëndetësia ndodhet një qendër shëndetësore dhe dy ambulanca me personel mjekësor shumë të kufizuar.
Si një vend malor dhe si një fshat në breg të lumit Drini i Zi, Zall-Dardha ka mundësi shumë të mira për ta zhvilluar turizmin malor dhe familjar. Kjo mundësi mbështetet edhe në relievin e përshtatshëm malor dhe në florën e faunën e zhvilluar.
Zall-Dardha dhe rrethina e saj, pos me tradita të pasura historike, si zonë e luftërave për liri, është edhe djep i folklorit burimor, e cila këngës dhe valles shqipe i ka dhënë shumë. Zall-Dardha është zonë me vlera të larta artistike dhe me artistë, rapsodë e valltarë me famë kombëtare. Nga Zall-Dardha është artisti i madh, Haziz Ndreu – Nderi i Kombit, këngëtari i njohur popullor, Qerim Sula e shumë të tjerë.
Në Zall-Dardhë mbahet një festë tradicionale, me emrër interesant, “O, mirë se na erdhe”! Qëllimi i mbajtjes së festës është kremtimi i përbashkët i të larguarve nga fshati me të mbeturit në fshat, por edhe për ruajtjen e traditës atdhetare e folklorike dhe për paraqitjen e zonës me mundësi turistike. Kjo festë, që i kushtohet Kuvendit të Zall-Dardhës, kremtohet për çdo vit, më 1 gusht, me këngë e valle popullore.
Zona e Zall-Dardhës ende vuan për rrugë të mira, nuk ka rrjet ujësjellësi, transporti i udhëtarëve bëhet me furgona, mungojnë pikat grumbulluese të prodhimeve bujqësore, ka mangësi të infrastrukturës për ujitje e kullim, mbetet ende me probleme të furnizimit me energji elektrike, janë shkatërruar pyjet dhe tokat bujqësore…
Të gjitha përpjekjet e dardhnjanëve (dernjanëve) për mbijetesë e për kushte më të mira të jetës do t’i marrë lumi. Sivjet pritet të fillojë ndërtimi i hidrocentralit të madh të Skavicës, liqeni i të cilit pritet ta përmbyt edhe Zall-Dardhën me zonën e saj. Banorët e kësaj zone e kanë kundërshtuar ndërtimin e hidrocentralit me arsyetimin se liqeni do t’ua merr fushat e bukës, se do ta ndante krahinën e Dibrës në dy pjesë, se do ta dëmtonte mjedisin e paprekur, se do ta zhdukte trashëgiminë kulturore e historike.
(Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës ishte një ëndërr 60-vjeçare për Shqipërinë. Qysh në vitin 1960 ishte ndërmarrë nisma për ndërtimin e HEC-it mbi lumin Drini i Zi në grykën e Skavicës, i cili, pos për prodhim të energjisë elektrike, do të shërbente edhe si rregullator i kaskadës së Drinit apo për rezerva uji për HEC-et e Fierzës, Komanit e Vaut të Dejës. Pas studimeve të shumta, rreth vitit 1980 është bërë projekti për ndërtimin e tij, kurse në vitin 2005 është marrë vendimi e në vitin 2008 ishte shpallë tenderi, por fillimi i ndërtimit kishte dështuar. Vjet (viti 2021), pas shumë përpjekjeve është nënshkruar vendimi dhe shpejt pritet të fillojë ndërtimi i këtij HEC-i. Diga e liqenit do ta ket kuotën në 443 metra dhe do t’i përmbyt rreth 32 fshatra të rrethit të Dibrës. Për shkak të kapacitetit të madh të rezervuarit, Skavica do të jetë një investim i madh që do ta rris prodhimin e energjisë elektrike, duke e shndërruar Shqipërinë në shtet shitës të energjisë elektrike. HEC-i i Skavicës do të ndërtohet nga ndërmarrja e madhe ndërtimore amerikane Bechtel dhe do të financohet nga SHBA).
Fillimi i ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës do të paraqes sfida të reja për banorët e zonës së Zall-Dardhës, por jemi të bindur se atyre do t’u krijohen kushte edhe më të mira për jetesë, nga që i kishin. Gjithashtu, zona e Zall-Dardhës do të shndërrohet në një mjedis më të bukur e më të pasur turistik.








