KLOSI – BASHKIA KU LINDI BUDI DHE KU RRINTE SKËNDERBEU

0
536

Nga Berat Luzhi:Shtegtime nëpër Atdhe (CXCVII)

Qyteza e Klosit ndodhet në luginën e lumit Mat, mes qyteteve Bulqizë e Burrel, prandaj qytetet më të afërta të saj janë Bulqiza (18 km) dhe Burreli (19 km). Nëpër Rrugën e sapondërtuar të Arbrit shkohet në Tiranë për më pak se një orë (46 km) dhe në Peshkopi gjithashtu për një orë (62 km). Klosi ishte edhe në kohën ilire, por është edhe sot një nyje e rrugëve që lidhin Tiranën me Dibrën e Matin.
Pas çlirimit në krahinën gjeografike dhe etnografike të Matit janë ndërtuar qytetet dhe qytezat: Burreli, Klosi, Krasta, Ulza e Shkopeti. Qendër e kësaj krahine – qendra e Rrethit të Matit është Burreli, kurse Klosi është qendër bashkie e Matit të Epërm apo Kryematit. Klosi, në vitin 2015, e ka përparuar statusin e vet nga qendër komune në qendër bashkie, që përfshinë katër njësi administrative dhe 30 fshatra të Rrethit të Matit.
Territori i Bashkisë së Klosit, që shtrihet në lartësi mbidetare mes 200 – 2100 metra, është territor i larmishëm kodrinor, fushor e malor në të dy anët e lumit Mat. Ky territor ka krijuar sisteme të ndryshme mjedisore, me lumenj e liqene, me pyje me pisha, me kullota, i pasur edhe me burime natyrore mbitokësore dhe nëntokësore. Veçanërisht ka pasuri kromi e mermeri (Në Shkallën e Cerujës është hapur një minierë (private) e kromit). Pjesën më të madhe, 55 për qind të territorit, e mbulojnë malet me pyje e kullosa, pastaj vjen toka bujqësore, luginat etj. Lugina e Matit është zonë fushore shumë e begatshme. Ajo ka klimë kontinentale me ndikim të klimës mesdhetare, e përshtatshme për kultivimin e bimëve bujqësore e të pemëve, si dhe për zhvillimin e blegtorisë. Kultivimi i pemëve frutore, sidomos i rrushit, por edhe prodhimi i verës e rakisë ka traditë në këtë zonë. Mungesa, por edhe largësia e tregut, pastaj edhe mungesa e baxhove dhe fermave krijon vështirësi për zhvillimin e blegtorisë.
Klosi ishte qendër e rëndësishme historike, tregtare e politike që në hershmëri. Rrënoja arkeologjike të kështjellave ndodhen në Petralbë dhe Xibër, mbi malin e Darsit, kurse janë gjetur edhe rrënoja qytetesh, ura të vjetra dhe objekte të ndryshme arkeologjike. Disa materiale dhe studime historike flasin se banorët e Klosit janë të parët që e kanë prodhuar barotin.
Sipas regjistrimit të vitit 2011, qyteza e Klosit kishte rreth 2300 banorë, kurse si bashki – rreth 15 mijë banorë. Popullsia e Bashkisë kryesisht merret me bujqësi e blegtori, ndërsa viteve të fundit edhe me turizëm malor e historik, me grumbullimin e bimëve mjekësore etj. Sikur në tërë vendin, edhe në Bashkinë e Klosit popullsia është zvogluar dukshëm. Papunësia e lartë shfaqet kryesisht te të rinjtë, të cilët, të pamundur të sigurojnë jetesën, largohen nga vendlindja e tyre. Sikurse edhe nga zonat tjera, edhe nga zona e Klosit ka pas lëvizje të popullsisë, sidomos e të rinjve drejt qyteteve Burrel, Tiranë e Durrës, si dhe në shtetet e jashtme; Angli, Itali, Francë, Greqi. Një pjesë e popullsisë trajtohen nga qeveria me ndihma ekonomike, kurse pjesa më e madhe e popullsisë jeton me të ardhurat që vijnë nga mërgimtarët.
Rruga e Arbrit, e cila kalon nëpër territorin e Bashkisë së Klosit, ka krijuar perspektivë të re të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të kësaj ane.
(Krahas rrugës Egnatia, Rruga e Arbrit ka qenë një rrugë e rëndësisë së veçantë që nga shek. I, në kohën e romakëve. Kjo rrugë kalonte nëpër territorin e shtetit të Arbrit në shtegun Durrës – Fushë e Arbrit (Tiranë) – Shkallë e Tujanit – Bastar – Qafë-Murriz – Xibër – Qafë-Shkallë, Klos (Mat) – Qafë-Buall, Bulqizë – Vau i Drinit – Gjoricë – Dibër dhe në drejtim të Skupit. Rruga, për shkak të terrenit të thyer, shfrytëzohej kryesisht për kalimin e karvaneve, veçanërisht për tregti me Venedikun, Raguzën e Romën, nga njëra anë dhe me vendet e lindjes, nga ana tjetër. Në shek. XIII “Princi i madh i Arbrit”, Dhimitri, kishte garantur kalim të sigurt nëpër Rrugën e Arbrit. Në vitin 1429 kjo rrugë ishte përdorur gjerësisht nga Gjon Kastrioti dhe Gjergj Kastrioti. Pos tjerash, përmes kësaj rruge lidheshin kështjellat arbrore të Petralbës në Gurë të Bardhë, Stelushit, Sfetigradit, Petrelës dhe Krujës).
Bashkia e Klosit është e pasur me monumente natyrore, kulturore e historike. Përmendim këtu dy kështjella të shek. XIV e XV, pastaj Rrugën (e vjetër) të Arbrit, Rrugën (e re) të Arbrit, Urën e Vashës, Urën e Allamanit, Kështjellën e Xibrit, Sarajet e Zogut, Varrin e turkut, Gurrat në Gurin e Bardhë, Shpella e Shkrueme në fshatin Shkallë, disa kulla tipike të Matit etj. Ura e Vashës mbi lumin Mat është ndërtuar në shek. XVIII, si vepër bamirësie dhe një Urë (e re) e Vashës është ndërtuar tash në Rrugën e Arbrit. Fshati Balgjaj është një zonë turistike, me perpektivë të zhvillimit të turizmit, ndërsa fshati Gurë i Bardhë, në vitin 2018, është zgjedhur ndër 100 fshatrat turistikë të Shqipërisë. Në afërsi të Gurit të Bardhë ndodhet Kështjella e Petralbës, që ishte njëra nga selitë e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ky fshat është vendlindja e shkrimtarit të letërsisë së vjetër shqipe, Pjetër Budi (1566 – 1622), shtëpia e të cilit është monument i trashëgimisë kulturore. Fshati Gurë i Bardhë ndodhet 15 km nga Klosi dhe vetëm 4 km larg Rrugës së Arbrit.
Prandaj, për zhvillimin e turizmit, në bazë të të vlerave të veçanta, të bukurive natyrore e të monumenteve historike, ka kushte të mira dhe mundësi të mëdha. Viteve të fundit po zhvillohet turizmi natyror dhe kulturor. Monumentet natyrore, kulturore e historike nuk janë të njohura sa duhet për vizitorët. Ka kushte edhe për zhvillimin e sportit hiking, të turizmit mjedisor etj. Numri i vizitorëve nga viti në vit po rritet, kryesisht përgjatë luginës dhe në afërsi të rrugëve qendrore.