BULQIZA – QYTEZA E PASUR NËN TOKË, E VARFËR MBI TOKË

0
619

Nga Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXCV)

Qyteza e Bulqizës, me rreth 4000 banorë, e njohur dikur si “qytet i minatorëve”, është qendër e bashkisë dhe e rrethit, që varet nga qarku i Dibrës dhe prefektura e Dibrës. Në kuadër të bashkisë janë dy qyteza (Bulqiza e Krasta), tetë njësi administrative dhe 63 fshatra, që shtrihen në një reliev të thyer kodrinor – malor në lartësi mbidetare 420 – 2100 m. Bulqiza ndodhet në rrugën Peshkopi – Milot, rreth 45 km nga Peshkopia dhe 35 km nga Rrësheni. Me ndërtimin e Rrugës së Arbërit Bulqiza i afrohet Tiranës në rreth 60 km.
Rrethi i Bulqizës përbëhet nga gjashtë zona: Bulqiza, Gryka e Madhe, Gryka e Vogël, Okshtuni, Martaneshi dhe Golloborda. Në këtë territor shtrihen disa lugina të ngushta; e Bulqizës, e Okshtunit, e Zogjës, e Martaneshit. Në përbërje të Rrethit të Bulqizës ndodhet edhe Rrafshnalta e Gollobordës. Në relievin e zonës dallohen fushat e Gjoricës, e Homeshit, e Vajkalit, e Klenjës dhe e Ballenjës, pastaj malësitë e Martaneshit dhe Gollobordës, malet e Allamanit e të Lopës, majat e Kreshtës (2101 m) e Kaptinës (1973 m), lumenjtë Zalli i Bulqizës dhe Zalli i Okshtunit, qyteza e Krastës me 2000 banorë.
Zona e Bulqizës është e banuar nga fisi ilir i Penestëve që nga kohërat më të lashta. Njihet qyteti antik i Valit pranë qytetit të sotëm të Bulqizës, që shtrihej në afërsi të Shkëmbit të Skënderbeut. Gjithashtu, në afërsi të qytetit të sotëm ndodhej edhe një kështjellë, me emrin Volos, që ishte rrënuar gjatë dyndjeve sllave në shek. VII. Nën udhëheqjen e Skënderbeut, në fushën e Vajkalit, afër Bulqizës, është zhvilluar beteja e njohur e Vajkalit (1465). Një betejë tjetër e madhe është zhvilluar në vitin 1844 në fushën e Gjoricës kundër trupave osmane, të komanduara nga Hajredin Pasha. Gjatë viteve të rënda 1912 – 1921 ushtritë serbe deshën ta merrnin edhe këtë krahinë shqiptare, duke vrarë e djegë fshatra të tyre, por dështuan dhe u kthyen prapa me turp.
Si qytezë, Bulqiza nuk ka histori të gjatë. Duke qenë vendi me rezervat më të mëdha të kromit në Shqipëri, ndërtohen dy qyteza; Bulqiza dhe Krasta. Ndërtimi i Bulqizës ka filluar krahas hapjes së minierës, në vitin 1948, fillimisht me ngritjen e disa barakave për vendosjen e punëtorëve të minierës, pastaj, me radhë, me ngritjen e pallateve të banimit, të objekteve sociale, të shkollave, të pallatit të kulturës, të bibliotekës, të qendrës shëndetësore, të rrugëve të reja etj.
Në Bulqizë faktikisht ndodhen dy Bulqiza apo, thënë ndryshe, qyteti ndahet në dy pjesë të larguara nga njëra – tjetra, sikur të ishin dy qyteza të veçanta. Në vitet ’70-ta, disa qindra metra larg qytetit të vjetër, ka filluar ndërtimi i “qytetit të ri” me ngritjen e pallateve të banimit tre, katër e pesëkatëshe për strehimin e punëtorëve të minierës, me ndërtimin e kinoklubit, me hapjen e shkollës së mesme Teknikumi i Gjeologji – Minierave etj. Në Qytetin e Ri, gjatë viteve 1985 – 1987, u strehuan 1000 familje të minatorëve të ardhur në Bulqizë nga të gjitha zonat e Qarkut të Dibrës.
Që nga themelimi i minierës më të madhe në Shqipëri, më 18 shkurt 1948 në Luginën Vajkalit e deri në vitin 1990, Bulqiza njihej si një qytezë e pasur e me perspektivë ekonomike. Nëntoka e Bulqizës ka, jo një, po mbi 40 miniera që punojnë me leje apo pa leje pune. Pas privatizimit të industrisë minerare, në vitin 2000, minierat kanë kaluar nga kriza në krizë, nga dorë në dorë, kurse minatorët kanë mbetur pa kushte elementare për punë e jetesë, pa siguri për jetën e tyre, duke punuar si skllevër për bukën e gojës. Minierat janë blerë ose u janë dhënë leje pa kritere për shfrytëzimin e mineralit kompanive të ndryshme private. Dhënia e qindra lejeve pa kritere ka shkaktuar amulli dhe probleme të shumta. Minierat janë degraduar, keqdrejtuar e keqtrajtuar, duke u shfrytëzuar barbarisht. Shumë gra e fëmijë i kemi parë duke mbledhë krom për ta shitur në sipërfaqe të hapur e në kushte të rënda, duke rrezikuar jetën e tyre. Jo pak fatkeqësi kanë ndodhur dhe jo pak jetë minatorësh janë shuar në këtë minierë. Mirëpo, bulqizakët e kanë lidhur ngusht jetën e tyre me minierën, edhe pse ajo, që nga themelimi, ua ka marrë jetën qindra 600 minatorëve. Miniera dhe qyteza kanë një ditëlindje dhe një lidhshmëri të pashkëputur 74-vjeçare.
(Të kujtojmë se kromi ishte malli kryesor eksportues i Shqipërisë para vitit 1990. Në vitet 1970 – 1990 Shqipëria kishte vendin e dytë në botë dhe vendin e parë në Evropë për prodhimin dhe eksportin e kromit. Sot Shqipëria nuk zë as 1 për qind të eksportit botëror të kromit).
Tradicionalisht popullsia e kësaj ane është marrë me bujqësi e blegtori, por edhe me pemtari e bletari. Bashkia ka edhe një pasuri të konsiderueshme pyjore; rreth 36 mijë hektarë pyje të pishës dhe të ahut. Krahas zhvillimit të industrisë së nxjerrjes dhe pasurimit të mineralit të kromit, kohëve të fundit gjithnjë e më shumë po zhvillohet edhe turizmi dhe grumbullimi i bimëve mjekësore. Këtu ka gjetur terren të përshtatshëm zhvillimi i turizmit; i turizmit fshatar, malor, mjedisor dhe kulturor, i ndihmuar edhe nga çiklizmi. Zhvillimin e turizmit e mundësojnë faktorë të ndryshëm natyrorë dhe kulturorë; bukuritë dhe pamjet mahnitëse të një natyre të paprekur, klima e shëndetshme e shëruese, historia e traditat e vendit, ushqimi tradicional, pastaj mjedisi pastër, pyjet e dendura me shtigje për ecje, 15 liqenet akullnajore, ujëvarat, luginat, kullat e vjetra, etj.
Bashkia e Bulqizës ka natyrë magjepse. Rreth 17 km nga Bulqiza, në një kodër të fshatit Zerqan, ndodhet Zabeli i Madh, një pyll “i shenjtë”, i cili nuk është prerë qe dy – tre shekuj. Legjenda thotë se ai që ka prerë dru në të, nuk ka dalë i gjallë prej tij. Fshati Zerçan, me histori të lashtë, është përzgjedhur në projektin “100 fshatrat e Shqipërisë”, si fshat turistik. Në lartësi mbidetare rreth 1600 metra ndodhen Liqenet e Dhoksit, kurse në një shpat mali afër Bulqizës ndodhet Ujëvara e Duriçit me lartësi 20 metra. Fshati Valikardhë, dikur një qytet antik, ku është ngritur një monument për Skënderbeun, është vendi ku është zhvilluar Beteja e Vajkalit ose Valikardit mes forcave të Skënderbeut dhe atyre osmane në vitin 1465.
Megjithë pasuritë e pashterrshme, Bulqiza sot duket një qytet i varfër, i harruar, i izoluar dhe i pashpresë. Asaj i janë shkatërruar burimet natyrore të kromit, i janë prerë pyjet. Bashkisë i mungojnë investimet, kurse nga pasuria e kromit pak ose fare nuk ka dobi. Na trondisin, herë pas here, raportet nga tragjeditë në minierat kromit në Bulqizë apo ato skena të rënda me fëmijë e gra duke mbledhur gurë kromi në hapësirën para minierës. Gjithësesi, ndërtimi i Rrugës së Arbërit paraqet dalje nga izolimi, jo vetëm për Bulqizën, por edhe për tërë krahinën e Dibrës.
A do ta shpëtojë Bulqizën turizmi (i vonuar) malor, sportiv, avanturist, fshatar, mjedisor…? A do të mbrohen pasuritë natyrore të Bulqizës? A do të mbrohen minatorët në zgafellat e minierave? A nuk do t’i shohim më fëmijët e nënat duke mbledhur krom për të blerë bukën e gojës…? Bulqiza nuk e meriton skamjen e dëshprimin dhe as braktisjen e vendit nga banorët e saj. Miliona lekët, që dalin për çdo ditë prej saj, duhet t’i kthehen në investime. Shteti duhet vënë dorë më fort mbi pasuritë e pashterrshme të shtetit në Bulqizën e pasur e të varfër.