Konflikti Ukrainë-Rusi,mund të ndikojë në stagnimin e dialogut Kosovë-Serbi

0
347

Agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës, i nisur ditë më parë, mund të ndikojë në stagnimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Kështu pohojnë profesorët universitarë, njohës të politikave ndërkombëtare të procesit të dialogut. Sipas tyre, lufta në Ukrainë shpërqendron vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, çka pamundëson progresin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.    

Pas disa muajsh ndërprerjeje, javën që shkoi, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, takoi ndaras kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq. Ky raund i dialogu përfundoi pa ndonjë marrëveshje, e madje, as pa i bërë bashkë në një tavolinë Bislimin e Petkoviqin.

Takimi i radhës për vazhdimin e dialogut nuk dihet se kur do të mbahet, por konflikti i armatosur Ukrainë-Rusi, do të ndikojë në këtë proces,  vlerësojnë njohës të politikave ndërkombëtare të dialogut.

Sipas profesorit universitar, Artan Muhaxhiri, një krizë kaq e madhe si kjo në Ukrainë, padyshim se do të stagnojë dialogun Kosovë-Serbi.

 “Është krejtësisht e pritshme që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të jetë totalisht i bllokuar, përderisa të mos ketë ndonjë ndryshim në intensitetin e luftës në Ukrainë, sepse të gjitha energjitë e BE-së janë të fokusuara në Ukrainë, prandaj edhe nuk mund të pritet asnjë lëvizje në dialogun Kosovë-Serbi”, pohoi ai.

Edhe profesori universitar i diplomacisë, Valon Murtezaj, nw njw prononcim pwr Radio Kosovwn tha se konflikti ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, do të ndikoj në dialogun Kosovë-Serbi. Por, sipas tij, përvec kësaj, edhe Serbia është ajo që nuk është e interesuar për një marrëveshje finale.

 “Një luftë e hapur frontale, pra e zjarrtë, do ta shpërqendronte vëmendjen evropiane dhe globale. Procesi është për normalizim të raporteve ndërmjet dy shteteve dhe natyrisht, problemi kryesor është Serbia, që nuk ka gatishmëri tani për tani për të konkretizuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Megjithatë, BE-ja dhe SHBA-ja janë të interesuara që të ketë progres”, tha Murtezaj.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka filluar në vitin 2011. Diplomacia  e BE-së dhe ajo e SHBA-së kanë intensifikuar përpjekjet për rifillimin e procesit dhe janë duke kërkuar nga të dyja palët që të angazhohen për arritjen e një marrëveshjeje finale ku do të përfshihej edhe njohja reciproke.