Qeveria e Kosovës as që e ka ndërmend ti lehtësojë masat anti-covid para 4 shkurtit.
Edhe pse jo drejpërdrejt, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka arsyetuar vendimin lidhur me masat anti-covid për çka ka thënë se qeveria e drejtuar nga ai nuk merr vendime ‘shkel e shko” për përfitime politike por sipas tij është qeveri që merr vendime të duhura në kohën e duhur.
Kurti ka thënë se masat e fundit të marra nga qeveria nuk janë ekstreme.
“Të nderuar deputetë masat anticovid që kemi marrë në Kosovë më 21 janar 2022 nuk kanë rënë nga qielli përkundrazi ato kanë qenë rezultati i një procesi të kujdesshëm ndërinstitucional duke filluar me rekomandimet e profesionistëve shëndetësor në komisionin këshillëdhënës për masat anticovid duke u pasur nga shqyrtimi i këtyre masave, nga përfaqësues të institucioneve kyçe për menaxhimin e pandemisë në komitetin për koordinim dhe vlerësim lidhur me Covid-19. Ne jemi një qeveri që nuk merr vendime ad-hoc ‘shkel e shko’ apo për përfitime politike, jemi një qeveri e cila është e gatshme për të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur edhe vendime të vështira por për të mirën e qytetarëve”, ka thënë Kurti.
“Kemi zgjedhur një rrugë më të balancuar duke vendosur kufizime vetëm në ata sektorë që janë me rrezik të shtuar. Le të mos harrojmë që masat e marra edhe pse mund të shkaktojnë vështirësi në jetën e përditshme janë megjithatë të përkohshme, për fat të mirë përvoja e vendeve të tjera tregon se vala e variantit Omikron kalon relativisht shpejtë në krahasim me valët e mëhershëm të covid-19. Unë ju garantoj juve dhe gjithë qytetarëve që porsa të bëhet e qartë se masat e vendosura nuk janë më të nevojshme për të parandaluar mbi ngarkesën e sistemit shëndetësor ne do të fillojmë menjëherë që t’i lehtësojmë ato”, ka thënë Kurti.








