Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka biseduar sot përmes video-linkut me Drejtorin Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën, Hans Kluge, për situatën epidemiologjike dhe masat që po zbatohen në luftën kundër virusit korona, njoftoi Qeveria e Serbisë.
Bërnabiç tha se situata aktuale me epideminë është serioze, por që falë masave që shteti po merr, ajo po mbahet nën kontroll, si dhe se po bëhen përpjekje të përditshme për të mbrojtur sistemin shëndetësor të vendit.
Në mënyrë që të luftohet virusi sa më me efikasitet të jetë e mundur, masa të reja më kufizuese janë miratuar që sot, vuri në dukje Kryeministri Bërnabiç dhe shtoi se Serbia vazhdon të investojë fonde të rëndësishme në kujdesin shëndetësor, i cili mbetet një përparësi kryesore e qeverisë së re.
Kryeministrja tha se Serbia është shumë e interesuar që të vijë deri te vaksina, sapo të miratohet nga institucionet përkatëse dhe se Serbia tashmë ka nënshkruar marrëveshjen paraprake me kompani të caktuara farmaceutike që po punojnë për përpunimin e vaksinës.
Ajo shtoi se vaksina do të jetë falas për të gjithë qytetarët e Serbisë.
Kluge tha se ata janë veçanërisht të inkurajuar nga informacioni në lidhje me planet e qeverisë për zhvillimin e mëtejshëm dhe modernizimin e sistemit shëndetësor, përmes dixhitalizimit dhe formimit të një baze të të dhënave./Lajmial/








