Regjimi pa viza për Serbinë mund të kërcënohet edhe për shkak të procedurave të thjeshtuara për marrjen e nënshtetësisë serbe, konfirmoi Radio Evropa e Lirë (REL) nga Komisioni Evropian.
“Komisioni Evropian ka shqetësime të përgjithshme rreth llojeve të tjera të programeve të shtetësisë, siç janë procedurat e thjeshtuara për dhënien e shtetësisë pas një periudhe të kufizuar qëndrimi. Kjo mund të përbëjë rreziqe për politikat publike ose sigurinë për BE-në pasi Serbia gëzon qasje pa viza në BE” thuhet në një përgjigjeje me shkrim për Radion Evropa e Lirë të nënshkruar nga një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Përgjigja konfirmon gjithashtu se Komisioni Evropian do të monitorojë politika të tilla të shtetësisë dhe natyralizimit të vendeve të treta pa viza në kontekstin e Mekanizmit të Pezullimit të Vizave.
Mekanizmi i pezullimit të vizave është pjesë e politikës së vizave të BE-së, e cila jep mundësinë e pezullimit të përkohshëm të regjimit pa viza për ato vende që nuk janë anëtare të BE-së, në rast të rritjes së ndjeshme të migracionit të parregullt.








