MAVROVA – FSHATI TURISTIK ME PARKUN MË TË MADH KOMBËTAR NË R. E MAQEDONISË

0
1345

Nga Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXCI)

Në krye të fushës së Pollogut, rreth 90 km nga Shkupi, 25 km nga Gostivari dhe 43 km nga Dibra ndodhet fshati malor turistik i Mavrovës. Mavrova është njëra nga zonat kryesore turistike në Republikën e Maqedonisë Veriore. Ajo bën pjesë në komunën Mavrovë – Radostushë, komunë kjo me rreth 8000 – 9000 banorë. Sipas regjistrimit të vitit 2002, shumicë janë të deklaruarit si maqedonas (50 për qind), pastaj të deklaruarit si turq (30 për qind) dhe shqiptarët (rreth 17 për qind).
Është popullsia vendore, shqiptarët e besimit ortodoks e zonës së Mavrovës që kanë humbur identitetin kombëtar, duke u deklaruar, ortodoksët si maqedonas dhe myslimanët, si turq, edhe pse ende, në një masë, e flasin apo e kuptojnë gjuhën shqipe apo e pranojnë origjinën shqiptare. Reka e Epërme, jo larg Mavrovës, ishte e populluar rreth 80 qind popullsi shqiptare të besimeve ortodokse e myslimane. Procesi i asimilimit të shqiptarëve ortodoks, në këtë anë, ka filluar në shek. XIX dhe ka përfunduar pas Luftës së Dytë Botërore. Asimilimi është bërë përmes ndryshimit të mbiemrave, shkollimit të detyrueshëm në gjuhën sllave, predikimi kishtar në sllavisht dhe me metoda tjera. Pjesa më e madhe e fshatrave janë pothuaj të zbrazura, ngase banorët janë larguar nga zona nëpër qytete dhe në botën e jashtme. Vetëm fshati Mavrovë gjallëron sllavisht në saje të zhvillimit të turizmit.
Si fshat dhe si zonë Mavrova njihet për Parkun Kombëtar të Mavrovës, për liqenin artificial dhe për qendrën e madhe të skijimit. Parku Kombëtar i Mavrovës mbulon pjesën më të bukur të R. së Maqedonisë Veriore. Shtrihet në shpatijet jugore të maleve të Sharrit, në një pjesë të maleve të Korabit, të Deshatit dhe të Bistrës dhe midis liqenit të Mavrovës, kufirit me Republikën e Kosovës dhe kufirit me Republikën e Shqipërisë. Lidhet me Parkun Kombëtar “Sharri” në R. e Maqedonisë Veriore, me Parkun Kombëtar “Sharri” të R. së Kosovës dhe me Parkun Natyror “Korabi” të Republikës së Shqipërisë. Natyra e në Park është e paprekur, me pyje të dendura, me florë e faunë të pasur, me 52 maje shkëmbore mbi 2000 metërshe, me gryka e kanione të thella, me ujëvara, me 17 liqene akullnajore, me 30 shpella interesante, me kanionin e lumit Radika, me liqene, lumenj e shumë burime të ujit. Maja më e lartë është maja e Korabit (2764 m.), si maja më e lartë në republikat e Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore. Ky park, i shpallur në vitin 1949, përfshinë sipërfaqen prej 731 km2.
Brenda Parkut të Mavrovës ndodhet liqeni artificial i Mavrovës. Liqeni, i ndërtuar në vitin 1947, ndodhet në lartësinë mbidetare mbi 1200 m., me gjatësi 10 km dhe gjerësi 3 deri 5 km. Nëpër park rrjedhin lumi Radika dhe disa lumenjtë vegjël, ku ndodhen edhe disa ujëvara të vogla e shpella karakteristike. Në liqen dhe, përgjithësisht, në Park zhvillohen veprimtari sportive të notit, shëtitje me barkë në liqen, ecje në natyrë, peshkim, kalërim, çiklizëm, ngjitje, kampim.
Në kuadër të Parkut të Mavrovës ndodhet edhe Qendra më e madhe e Skijimit në Maqedoninë Veriore, e ngritur në lartësinë mbidetare 1255 – 1860 m. Qendra, me 25 km gjatësi të shtigjeve skitare, ka tre ashensorë karrigie dhe 11 ashensorë – ski, me kapacitet prej mbi 11 mijë skiatorë në orë e me mundësi të skijimit nga nëntori deri në prill. Risi, në këtë qendër, është vendosja e sistemit për prodhimin e borës artificiale.
Flora dhe fauna në Parkun e Mavrovës është shumë e zhvilluar; me mbi 1000 lloje bimësh të larta, 100 lloje pemësh frutore, 140 lloje shpendësh, pastaj 38 lloje gjitarësh, etj. Në listën e llojeve të mbrojtura strikt është rrëqebulli i Ballkanit, i cili mund të gjendet vetëm në rezervatin e Parkut të Mavrovës. Gjithashtu, janë edhe macet e egra të rralla, që rriten në Mavrovë.
Në Parkun e Mavrovës ndodhet një varg i monumenteve kulturore. Më i rëndësishmi është Manastiri i Shën Gjon Bigurit (Bigorski), një faltore ortodokse e ndërtuar në vitin 1020 dhe e rindërtuar në vitin 1743. Atje ndodhen dhjetra hotele, restorante e bujtina, si dhe kuzhina vendore me ushqime tradicionale dhe me meny peshku.
Lumenjtë që rrjedhin në sipërfaqen e Parkut krijojnë kushte të mira për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla. Ishin planifikuar të ndërtoheshin 17 HEC-e në këtë park, por, për shkak të ndikimit të tyre në mjedis dhe protestave të banorëve, ndërtimi i tyre është pezulluar. Nga ana tjetër, në vitin 2011 Qeveria e R. së Maqedonisë filloi ndërtimin e pendave në lumin Radikë me qëllim të devijimit të ujërave drejt lumit Vardar. Edhe këto penda, për shkak të protestave të mëdha të qytetarëve për mbrojtjen e lumit, janë pezulluar.
Mavrova është një destinim i madh turistik. Turistët që e vizitojnë Qendrën e Skijimit të Mavrovës kryesisht janë nga shtetet e Maqedonisë Veriore, Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe turistë të huaj. Turizmi në Mavrovë zgjatë tërë vitin pandërprerë dhe vizitohet nga mijëra turistë gjatë ditës.